Shembja e rrugës në Prishtinë, reagon komuna

Rruga “Malush Kosova” në kryeqytet është shembur plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut, njofton Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit, ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS, Ujësjellësit dhe Policisë janë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët.
Rruga është e bllokuar për qarkullim, ndërsa qytetarëve u kërkohet të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren.
“Në vendngjarje janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar zonën dhe për të parandaluar rreziqe për qytetarët. Për çdo informacion shtesë, qytetarët do të njoftohen në kohë,” thuhet në njoftim.





















































