Site icon Telegrafi

Shembja e Perandorisë Britanike

Perandoria Britanike ishte më e madhja në historinë e njerëzimit. Në kulmin e saj në vitin 1920 kishte një shtrirje prej 25 për qind të masës tokësore të botës, ose 35.5 milionë kilometra katrorë. Pra, katër herë më të madhe sesa sipërfaqja aktuale e ShBA-së, dhe dy herë më të madhe sasa Rusia.

Gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria, që nisi në vitin 1837 dhe përfundoi me vdekjen e saj më 22 janar 1901, Perandoria Britanike arriti jo vetëm kulmin e zgjerimit, por edhe një pozicion dominues në tregti, diplomaci dhe forcë ushtarake.

Pra, si ndodhi që ajo që njihej edhe si “Perandoria në të cilën Dielli nuk perëndon kurrë”, u shpërbë vetëm disa dekada më vonë? Ja cilat janë arsyet kryesore:

Ishte shumë e madhe dhe shumë e kushtueshme: Qeverisja e një territori prej 35.5 milionë kilometra katrorë me një popullsi prej 538 milion njerëzish, pati një kosto shumë të madhe. Sipas politikanit britanik Denis Healey, që në vitin 1880 Perandoria Britanike po fitonte më pak sesa shpenzonte.

Po ashtu, taksapaguesi britanik paguante 2.5 herë më shumë për mbrojtjen e perandorisë, sesa qytetarët e vendeve të tjera të zhvilluara. Kjo barrë u bë shumë më e dukshme kur Britania u detyrua të harxhonte shumë nga burimet e saj në Luftën e Parë Botërore që zhvillohej në Evropë, por edhe në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Lufta e Parë Botërore i rrënoi financat e Britanisë së Madhe: Kostoja e madhe financiare e Luftës së Parë Botërore, e goditi fort Marinën Mbretërore të Britanisë, e cila u arrit shumë shpejt në madhësi nga Marina e ShBA-së dhe ajo e Japonisë. Në vitin 1921, PBB e saj ishte vetëm sa 87.1 për qind nivelit të tij të vitit 1913. Do të duhej të vinte viti 1925 që të arrihej PBB-ja e paraluftës.

Lufta e Dytë Botërore, ishte edhe më dërrmuese në aspektin ekonomik: Ekonomisti i famshëm britanik John Maynard Keynes, negocioi në marsin e vitit 1946 marrjen e një huaje prej 3.75 miliardë dollarëve nga Shtetet e Bashkuara, dhe të një huaje më të vogël nga Kanadaja. Kreditë u shlyen plotësisht 60 vjet më vonë, në dhjetor 2006. Me Britaninë e falimentuar dhe të lodhur nga lufta, vëmendja e kombit ishte fokusuar mbi çështjet e brendshme dhe jo ato të jashtme.

Humbjet ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore e dëmtuan prestigjin e saj: Ndër disfatat më të rënda ishte rënia e Singaporit që ndodhi midis 8-15 shkurtit 1942. Gjatë atyre shtatë ditëve, trupat japoneze të udhëhequra nga Tomoyuki Yamashita, mposhtën një ushtri britanike më të madhe në numër. Vetë kryeministri britanik Winston Churchill e përshkroi rënien e Singaporit si “katastrofën më të rëndë dhe kapitullimin më të madh në historinë e vendit”.

ShBA dhe Bashkimi Sovjetik, e refuzuan kolonializmin evropian: Edhe pse kishte vetë baza në Porto Riko, Filipine dhe Paqësor, Shtetet e Bashkuara nuk e miratuan modelin evropian të kolonializmit. Presidenti Harry S. Truman deklaroi në një rast: “Unë kam qenë gjithmonë kundër kolonializmit. Kolonializmi në çdo formë, është i urryer për amerikanët. Amerika e zhvilloi luftën e saj çlirimtare kundër kolonializmit dhe ne do ta shohim gjithmonë me simpati dhe mirëkuptim dëshirën e njerëzve kudo që të jenë të lirë nga skllavëria koloniale”. Ndërkohë, anti-imperialistët në mbarë botën e shihnin Bashkimin Sovjetik si burim frymëzimi. Kjo sepse anti-imperializmi ishte element qendror i mendimit bolshevik. Vladimir Lenini e quante imperializmin si “shkallën më të lartë të kapitalizmit”. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik filloi të zgjerojë ndikimin e tij global në kurriz të atij britanik.

Churchill i humbi zgjedhjet e vitit 1945: Përpara se të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve të pasluftës më 26 korrik 1945, kryeministri Winston Churchill ishte i bindur për fitoren. Tekefundit, ai e kishte udhëhequr vendin në fitoren e luftës më të madhe që kishte parë ndonjëherë bota. Megjithatë, do të humbiste përballë Partisë Laburiste të Clement Attlee, që premtoi reforma të thella sociale që përfshinin punësimin, strehimin, sigurimet shoqërore dhe kujdesin shëndetësor shtetëror.

Qeveria e re laburiste e mbështeti pavarësinë e Indisë, kolonisë më të madhe britanike: Pavarësia e Indisë në vitin 1947, nxiti të gjitha kolonitë të bënin të njëjtën gjë, duke përfshirë Birmaninë, Ganën, Malajën Britanike, Qipron, Nigerinë, Singaporin, Sierra Leonen, Ugandën dhe Keninë.

Kriza e Suezit: Kriza nisi kur presidenti egjiptian Gamal Abdel Naser, vendosi shtetëzimin e Kanalit të Suezit, një rrugë ujore jetike e cila kishte qenë deri në atë kohë në pronësi të kompanisë së Kanalit të Suezit, një ndërmarrje britaniko-franceze. Kjo lëvizje e zemëroi shumë kryeministrin britanik Anthony Eden, që thuhet se deklaroi: “Dua rrëzimin e këtij njeriu. Nuk më intereson nëse ka anarki dhe kaos në Egjipt. Dua ta heq qafe Naser!”. Britania dhe Franca negociuan një plan të fshehtë pushtimi me Izraelin. Lufta u nis me 10 brigada izraelite, më 29 tetor 1956. Ndërsa forcat egjiptiane u mposhtën fillimisht nga sulmi i beftë i Izraelit, Britania dhe Franca nisën fazën tjetër të planit më 5-6 nëntor. Ato pushtuan Port Saidin dhe Port Fuadin dhe duke bombarduar forcat ajrore të Egjiptit. Por, pushtimi i Britanisë u dënua me shpejtësi nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Kur OKB-ja kërcënoi me sanksione, filloi paniku ekonomik, duke shkaktuar humbjen e dhjetëra miliona funteve nga rezervat e Britanisë. Situata u komplikua kur presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower i bëri presion Fondit Monetar Ndërkombëtar që  t’i mohonte ndihmën financiare Britanisë. Në këto kushte, Londra u tërhoq nga Suezi. Ajo ngjarje tregoi se kishte mbaruar epoka e perandorisë britanike. /Marrë me shkurtime nga; Grunge/Në shqip nga: Bota.al/

 

Exit mobile version