Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për përfundimin e punimeve në rrugën e bjeshkës, ndërsa ka paralajmëruar investimin e radhës në vlerë prej 500 mijë eurosh për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike në zonën e bjeshkëve të Gjeravicës.

Shehu ka bërë të ditur se ky projekt është pjesë e planit të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë lokale, duke krijuar kushte të reja për jetesë dhe aktivitete ekonomike në zonat malore.




“Rrugën e bjeshkës e përfunduam. Po ashtu edhe Master-Plani për bjeshkët është përfunduar. Tani me radhë do të investojmë rreth gjysmë milion euro për rrjetin elektrik në bjeshkë. Në këtë mënyrë po krijohen parakushtet për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në përgjithësi përmes bjeshkëve të Gjeravicës”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka rikujtuar edhe projektet për ndriçim publik, duke thënë se gjatë mandatit të parë u vendos ndriçimi SMART për herë të parë në Junik, ndërsa në këtë mandat do të investohen mbi 200 mijë euro për ta përfunduar atë në të gjitha lagjet e qytetit.

“Urime Junik. Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka shtuar kryetari Shehu.