SHBA kryen sulmin e parë ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge pas arrestimit të Maduros

Ushtria amerikane njoftoi të premten se kishte kryer një sulm vdekjeprurës ndaj një mjeti lundrues të akuzuar për kontrabandë droge në Paqësorin lindor, duke shënuar sulmin e parë të njohur që nga arrestimi i presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro gjatë një operacioni në fillim të këtij muaji.
Komanda Jugore e ushtrisë amerikane (U.S. Southern Command) bëri të ditur në rrjetet sociale se anija ishte “e përfshirë në operacione të trafikut të drogës” dhe se në sulm u vranë dy persona, ndërsa një tjetër mbijetoi. U theksua se Roja Bregdetare është njoftuar për të nisur një operacion kërkimi dhe shpëtimi për të mbijetuarin.
Një video që shoqëron njoftimin për sulmin e fundit tregon një varkë duke lundruar në det, përpara se të shpërthejë në flakë. Ushtria amerikane javët e fundit është përqendruar në sekuestrimin e cisternave të naftës të sanksionuara të lidhura me Venezuelën, që nga momenti kur administrata e presidenti, Donald Trump ndërmori një operacion të guximshëm për arrestimin e Maduros dhe dërgimin e tij në Nju Jork për t’u përballur me akuza për kontrabandë droge.
NEW: The U.S. military says it has carried out a strike on a suspected drug-trafficking vessel in the Eastern Pacific, marking the first known attack since Maduro was captured earlier this month.
Two people were killed and one survived, and the Coast Guard was alerted to rescue… pic.twitter.com/AkFaS8BWOM
— Clash Report (@clashreport) January 23, 2026
Me këtë veprim të fundit ushtarak, numri i sulmeve të njohura ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në ujërat e Amerikës së Jugut që nga fillimi i shtatorit ka arritur në 36, me të paktën 117 të vrarë, sipas njoftimeve të ushtrisë amerikane dhe vetë Trumpit. Shumica e këtyre sulmeve kanë ndodhur në Detin e Karaibeve.
Sulmet e fundit të raportuara ndaj anijeve u regjistruan në fund të dhjetorit, kur ushtria njoftoi se brenda dy ditësh kishte goditur pesë anije të dyshuara për trafik droge, duke vrarë gjithsej tetë persona, ndërsa të tjerët ishin hedhur në det. Disa ditë më pas, Roja Bregdetare ndërpreu kërkimet.
Më 3 janar, SHBA-të kryen një operacion të madh në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, që çoi në arrestimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij. Ata më pas u transferuan në New York, ku përballen me akuza federale për kontrabandë droge.
Para arrestimit, Maduro kishte deklaruar se operacionet ushtarake amerikane ishin vetëm një përpjekje e maskuar dobët për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Trump ka theksuar disa herë se sulmet e SHBA-ve ndaj kontrabandistëve të dyshuar kanë pasur ndikim të madh në ngadalësimin e rrugëve të trafikut të drogës në Detin e Karaibeve dhe Paqësorin lindor.
“I kemi ndalur – praktikisht kemi bllokuar pothuajse 100 për qind të të gjitha drogave që vijnë përmes detit”, deklaroi Trump të enjten në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. /Telegrafi/



















































