Forcat amerikane kryen sulme ajrore në Siri ndaj dhjetëra objektivave që lidheshin me ISIS-in (Shteti Islamik), si përgjigje ndaj një sulmi të fundit ku u vranë ushtarë amerikanë, thanë zyrtarë amerikanë.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se personalisht mbështeti plotësisht operacionin dhe se Shtetet e Bashkuara po ushtonin “një hakmarrje shumë serioze”.


"Ne po godasim me forcë të madhe bazat e ISIS-it në Siri, një vend i përmbytur nga gjaku që ka shumë probleme, por që ka një të ardhme të ndritur nëse ISIS-i mund të çrrënjoset. Qeveria e Sirisë, e udhëhequr nga një njeri që po punon shumë fort për t’i rikthyer Madhështinë Sirisë, plotësisht e mbështesim. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) tha që u goditën më shumë se 70 objektiva të ISIS-it në Siri të mesme, me ndihmën edhe të aeroplanëve luftarakë jordanezë", shkroi ai.

Në sulmin paraprak në qytetin e Palmyras, dy ushtarë nga Iowa National Guard dhe një përkthyes civil amerikan u vranë kur një sulmues i dyshuar nga ISIS-i i sulmoi forcat amerikane e siriane ndërsa më pas u vra sulmuesi.

Në Sirinë qendrore aktualisht janë rreth 1000 trupa amerikane, pjesë e misionit për të penguar rigjallërimin e ISIS-it në rajon, raporton cnn..

Ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth tha se sulmet do të vazhdojnë, duke theksuar se ky nuk është fillimi i një lufte të re, por një deklaratë hakmarrjeje ndaj atyre që kërcënojnë forcat amerikane.

Ndryshe, të enjten, Trump nënshkroi një ligj me të cilin shfuqizohet paketa e fundit e sanksioneve të rënda ekonomike ndaj Sirisë, të vendosura për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë luftës civile. Pas rrëzimit të ish-presidentit, Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, mbështetësit kanë intensifikuar përpjekjet për heqjen e sanksioneve.

Qeveria siriane aktualisht drejtohet nga ish-rebelë që, pas 13 vitesh lufte, e rrëzuan Assadin; mes tyre ka edhe ish-anëtarë të degës siriane të al-Qaedës, të cilët më herët ishin shkëputur nga kjo organizatë dhe kishin luftuar kundër Shtetit Islamik.

Siria bashkëpunon me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik, dhe ky bashkëpunim u konfirmua më tej muajin e kaluar gjatë vizitës së presidentit sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/