Shaqiri: Ligjin për Kundërvajtje do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.
“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha në intervistë për "Alsat" Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.
“Hipotetikisht nëse ne shkojmë me një njësi zgjedhore, cila është garancia që ne mund të mbikëqyrim procesin zgjedhor në pjesën e Maqedonisë Lindore ku dihet se ajo pjesë është e boshatisur.
Ne jemi kundër idesë që të ketë një njësi zgjedhore. Ne jemi për lista të hapura mirëpo me tetë njësi zgjedhore”, u shpreh Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se me BDI-në janë partnerë në AKI dhe se asnjëherë nuk do të ndodhë që kjo strukturë e udhëhequr nga Taravari të shkrihet në BDI, pavarësisht vendimit gjyqësor për vulat e partisë.
Kujtojmë se sot në Kuvend me 81 vota "pro" kaluan ndryshimet ligjore për Ligjin për Kundërvajtje, sipas të cilës nga 1 shkurti mundësohet zbatimi i projektit "Safe City" në qytetet e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.





















































