Në Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve publik, neni i 4 i tij, definohet qartë se në zyrtar i lartë, që në këtë kategori hyjnë edhe deputetët, duhet të deklarojë zotërimin nga ana e tyre të aksioneve në shoqëri komerciale.

Por deputeti Muja, që ishte edhe këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, ka deklaruar vetëm 50 % të aksioneve në kompaninë “Ana Derm”, për ç’gjë edhe është duke u hetuar nga AKK-ja, shkruan Zëri.


Edhe pse gazeta ka insistuar, në AKK nuk kanë dashur të bëjnë me dije se a po hetohet deputeti Muja edhe për mosdeklarimin e aksioneve në kompaninë për energjetikë, por vetëm kanë konfirmuar hetimin.

“Agjencia është duke e trajtuar rastin për veprimet e mundshme të konfliktit të interesit, deputeti Muja është duke bashkëpunuar me ne. Ligji përcakton se faza e hetimeve është e mbyllur për publikun, ne do ta publikojmë vendimin definitiv”, ka thënë për “Zërin” Hasan Preteni, drejtor i AKK-së.

Ndryshe, kompania më e re e deputetit Muja, me emrin “Kosova Green Energy” dhe “Zëri” ka siguruar një certifikatë të këtij biznesi të regjistruar më 2 prill të këtij viti.

Sipas kësaj certifikate, deputeti Muja është në ortakëri me Ali Kastratin, por nuk dihet përqindja e aksioneve të secilit në këtë kompani. Pos pronarë, në këtë biznes që të dy aksionarët, Shaip Muja e Ali Kastrati janë regjistruar edhe si persona kontaktues të biznesit në fjalë.

Deputeti Muja edhe pas një javë pritjesh nuk ka dashur të prononcohej për këtë çështje, njëjtë sikurse nuk ka dashur të flasë as për përqindjen e jashtëligjshme të aksioneve në kompaninë “Ana Derm”.

Ky deputet i pozitës, që është ndër 12 milionerët e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se ka në pronësi me një pasuri që kalon vlerën mbi 2 milionë euro. Përveç të tjerash, si të hyra ai ka paraqitur pagën vjetore nga Kuvendi në shumë 14.880 euro në vit dhe të ardhurat nga 50% e aksioneve në “Ana Derm”, që sipas deklarimit të pasurisë, nuk arrijnë më shumë se 5.000 euro për vit.

Në “Ana Derm”, deputeti Muja ka 50% të aksioneve, kurse 50% të tjera i takojnë gruas së tij, Anita Muja. Ajo është edhe pronare në kompaninë tjetër private “Ana-Z”, me anë të së cilës ka përfituar një kontratë nga fondet publike të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), por që këta të fundit nuk pranojnë të bëjnë publike vlerën e saj.

Me anë të kësaj kontrate, kompania e gruaja e deputetit të PDK-së, Shaip Muja, Anitës, “Ana-Z” që ka edhe 50% të aksioneve në kompaninë e burrit “Ana Derm”, që nga 1 maji ka filluar të realizojë emisionin “Estetika dhe shëndeti”, i cili do të transmetohet së paku deri në dhjetor të këtij viti. /Telegrafi/