“Kongresi duhet të jetë vendi ku Menduh Thaçi duhet të japë llogari për rezultatet zgjedhore të PDSH-së dhe të japë dorëheqje”, kështu ka deklaruar sot Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës, në një konferncë për media, në të cilën ishin të pranishëm edhe strukturat tjera të degës së PDSH-së në Strugë, të cilat tashmë nga Thaçi konsiderohen të shkarkuara.

Por Sela ka theksuar se akoma është pjesë e PDSH dhe se kërkon llogari për humbjen në zgjedhje.


“Kërkojmë që të thirret Kongresi dhe Kuvendi Qendror, si organet më të larta partiake për të debatuar për rezultatet zgjedhore të PDSH-së, në këtë cikël zgjedhor. Kryetari i PDSH-së duhet të shpjegojë se me bekimin e cilit organ partiak ai mori vendim për të votuar presidentin në rrethin e dytë të zgjedhjeve”, theksoi Sela.

Ai ka komentuar çështjen e hyrjes së PDSH-së në Qeveri, duke theksuar se edhe vendimi për hyrje apo jo në qeveri duhet të merret nga strukturat më të larta partiake.

”Nëse brenda 100 ditëve të para të qeverisë, arrihet krijimi i parlamentit dydhomësh, ndarja proporcionale e buxhetit, përfaqësimi i drejt dhe adekuat, atëherë PDSH -së i lejohet të hyjë në qeveri”, ka komentuar Sela.

Në këtë kontekst ai tha se legjitimiteti i popullit është relativizuar nga BDI e cila, pasi ka marrë disa herë, shumicën e mandateve tek shqiptarët nuk ka realizuar asgjë, ndaj tha Sela, Thaçi mund të hyjë në qeveri edhe me një deputet, por me kushtin që të përmbush platformën e PDSH-së, për një Marrëveshje të re për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. /Telegrafi/