Sot për të 19-në herë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. 

Partitë janë barikaduar në qëndrimet e tyre lidhur me pozitën e kryetarit të Kuvendit.


Derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqë dorë nga kandidatja e saj për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK thonë se figura e Haxhiut është e papranueshme për këtë pozitë.

Në seancat e fundit, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka tentuar themelimin e një Komisioni që do të mundësonte votimin e fshehtë.

Edhe ky komision nuk po kalon në mungesë të kuorumit.

Qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit më 9 shkurt 2025. Janë bërë mbi 3 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet dhe ende nuk janë konstituuar institucionet e reja. /Telegrafi/

21/05/2025 12:01-Kusari-Lila akuzon partitë politike për bllokimin e konstituimit të Kuvendit

Pas dështimit të 19-të për të konstituuar Kuvendin, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka akuzuar partitë e tjera politike për këtë gjë. Kusari-Lila në një deklaratë për media ka thënë se kryeparlamentari i takon partisë fituese të dala nga zgjedhjet e fundit dhe se partitë e tjera politike po e bllokojnë këtë proces. Ajo po ashtu tha se kjo situatë do të mbetet e tillë pasi partitë politike po prezantojmë qëndrime politike kundrejt një të drejte kushtetuese që e ka LVV-ja. /Telegrafi/

21/05/2025 11:47-Çitaku: Nuk i komentojmë dëshirat e Kurtit, ta ndërrojnë kandidatin dhe të ecim tutje

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas dështimit për të 19-në herë të seancës konstituive i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë dhe të zhbllokojë situatën në mënyrë që të konstituohen insitutcionet. Çitaku para mediave tha se nuk i komentojnë dëshirat e deputetit Kurti, pasi sipas saj, PDK vlerëson realitetin politik në Kuvend. “I bëjmë thirrje deputetit Kurti që të reflektojë, të zhbllokojë situatën në mënyrë që institucionet të konstituohen... PDK ka qenë jashtëzakonisht e përgjegjshme dhe konstruktive dhe po mundohemi të bëjmë çdo gjë në funksion të zhbllokimit...”, tha ajo. Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

21/05/2025 11:41-19 herë dështim – Kuvendi i Kosovës sërish pa kryeparlamentar

Kuvendi i Kosovës edhe në tentimin e 19-të ka dështuar të konstituohet. Ligjbërësit refuzuan për të 19 herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin. PDK, LDK dhe AAK sërish refuzuan të propozonin emrat e tyre për anëtarë të këtij komisioni. Nga 109 deputetë të pranishëm, 54 vota ishin për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Lajmi i plotë KËTU.

21/05/2025 11:10-Deliu: LVV e barrikaduar me një emër – vendi s’mund të mbetet peng i Albulena Haxhiut

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka bërë të ditur se edhe sot nuk do të ketë ndryshim. “Nuk shoh që do të ketë ndryshim. Nuk ka vullnet politik për të ndryshuar kandidaten e cila për të 19-ën herë do të ketë epilogun e njëjtë. Kosova po e kalon muajin e tretë të bllokimit dhe krizës institucionale dhe përgjegjësinë duhet ta marrin ata që nuk tregojnë asnjë hap të vetëm për tejkalim të kësaj situate”, tha Deliu. Deputetja u shpreh se PDK ka qenë e hapur të ulet dhe të diskutojë dhe të shoh mundësinë sesi mund të tejkalohet situata e krijuar. “Ne kemi një grup parlamentar i barrikaduar me një kandidate të vetme, fati i Kosovës ka mbetur në mëshirën e kandidates e cila nuk e di a do të jetë ende kandidate, apo pas disa tentativa zonja Haxhiu duhet të largohet nga kandidatura”, u shpreh Deliu. Lajmi i plotë KËTU.

21/05/2025 10:52-Izmaku i përgjigjet Kurtit: Rëndësinë e përcakton pesha e liderit, jo numrat – marrëveshjet bëhen në tavolinë e jo në televizione

Deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku ka thënë se as sot nuk pritet të ketë ndonjë situatë më ndryshe sa i përket konstituimit të Kuvendit. “Duket se jemi në një fazë ku nuk do të ketë votim politik por ende do të votohet për procedura, nuk ka një ndryshim apo vendimmarrje të re”, tha Izmaku. Ajo u shpreh se po presin që brenda diskutimeve të brendshme politike me pas një deklaratë në të ardhmen që do të përfshijë diçka më konkrete “Diskutimet brenda subjektit tonë politik vazhdojnë dhe për këto çështje do të ketë deklaratë nga Limaj në ditët në vazhdim”, tha deputetja Izmaku. Lajmi i plotë KËTU.

21/05/2025 10:46-Peci: Jemi të hapur për koalicione, por jo për imponime nga opozita

Ministri në detyrë dhe njëherësh deputeti i Listës Guxo, Faton Peci, është deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po tentohet për herë të 19-të radhazi që të konstituohet Kuvendi. Peci theksoi se subjekti i tij është i hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, duke përfshirë koalicione dhe partneritete të mundshme. “Ne kemi reflektu në forma të ndryshme dhe kemi tregu që jemi të hapur si për opsione, partneritet edhe për koalicione e në anën tjetër në rast se ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese, atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me ta imponu kandidatin”, ka thënë Peci. /Telegrafi/

21/05/2025 10:32-Bahtiri kritikon bllokadën në Kuvend, thotë se LVV është e gatshme për kompromis

Deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri ka folur për tentimin e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Bahtiri u shpreh se situata aktuale është papërgjegjësi totale e deputetëve që i ka zgjedh populli. “I takon deputetëve të marrim vendime në të mirë të qytetarëve pavarësisht se cilës parti i takojnë. Secila parti i din votat e veta dhe ne duhet të gjejmë një zgjedhje përfundimtare për të qeverisur këtë vend. Është gabim i madh që po bëhet mes partive politike”, tha Bahtiri. Ai shtoi se derisa LVV voton për të zgjedhur organet ka përparësi në aspektin e dëshirës për t’i zgjedhur për dallim nga partitë tjera. Lajmi i plotë KËTU.