Salihu: Vota e qytetarëve të Mitrovicës nuk është cenuar apo tjetërsuar, pavarësisht gabimeve në fletëvotime

Situata e krijuar me fletëvotimet në Mitrovicë, ka shkaktuar huti tek qytetarët.
Sipas sqarimeve të ofruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompania sllovene Cetis, gabimet e konstatuara në fletëvotime është thënë se nuk kanë pasur ndikim në procesin e votimit.
Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP ka thënë se votimi ka qenë i rregullt.
"Nga të gjitha sqarimet që janë ofruar nga KQZ-ja dhe nga kompania sllovene ‘Cetis’ lidhur me fletëvotimet e Mitrovicës së Jugut, rezulton se gabimet në fletëvotim nuk kanë rezultuar me gabime në votim. Votimi ka qenë i rregullt, por disa nga fletëvotimet nuk kanë qenë brenda standardit”, ka shkruar Salhiu.
Ai ka shtuar se qytetari nuk është instanca që i verifikon standardet e fletëvotimit.
“Qytetari e jep votën sipas vullnetit të tij/saj dhe ky vullnet është brenda kutive të votimit. Vota duket se as nuk është cenuar, as kontrabanduar dhe as tjetërsuar”, u shpreh ai.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut.
“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, ka njoftuar KQZ. /Telegrafi/


















































