Rusia tregon se "kërkojnë të zgjasin luftën", thotë Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur mbi debatin mbi propozimet e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë, duke akuzuar Rusinë se "kërkon të zgjasë luftën" dhe duke i kërkuar SHBA-së që "të detyrojë" Moskën t'i japë fund luftës.
Zelensky theksoi veçanërisht se "për më shumë se një ditë tashmë, bota ende nuk ka dëgjuar një përgjigje kuptimplotë nga Rusia ndaj propozimeve të bëra", përcjell Telegrafi.
“Kjo tregon edhe një herë se Rusia kërkon të zgjasë luftën dhe të shtyjë paqen për aq kohë sa të jetë e mundur. Shpresojmë që presioni i SHBA-së do të jetë i mjaftueshëm për ta detyruar Rusinë t'i japë fund luftës”, tha ai.
“Delegacioni ukrainas më dha një raport të detajuar mbi takimin e tij me përfaqësuesit e SHBA-së në Arabinë Saudite, duke përfshirë ecurinë e negociatave dhe aspektet kryesore”.
“Është mirë që biseda ishte tërësisht konstruktive. Ukraina është e përkushtuar të lëvizë shpejt drejt paqes dhe ne jemi të përgatitur të bëjmë pjesën tonë në krijimin e të gjitha kushteve për një paqe të besueshme, të qëndrueshme dhe të denjë. Falënderoj ekipet tona për faktin që rifilloi ndihma ushtarake dhe shkëmbimi i inteligjencës”.
“Përfaqësuesit tanë informuan palën amerikane për qëndrimet parimore të Ukrainës. Ukraina ishte gati për një armëpushim ajror dhe detar, por SHBA propozoi shtrirjen e tij në tokë. Ukraina e mirëpret këtë propozim. Kontrolli i një armëpushimi të tillë mbetet një çështje e rëndësishme dhe ne vlerësojmë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të organizuar aspektet teknike të një kontrolli të tillë”.
“Diskutuam nevojën për të garantuar sigurinë, si dhe bashkëpunimin tonë me partnerët evropianë dhe hapat e mëtejshëm të përbashkët”.
“Fatkeqësisht, për më shumë se një ditë tashmë, bota ende nuk ka dëgjuar një përgjigje kuptimplotë nga Rusia ndaj propozimeve të bëra. Kjo tregon edhe një herë se Rusia kërkon të zgjasë luftën dhe të shtyjë paqen për aq kohë sa të jetë e mundur. Shpresojmë që presioni i SHBA-së do të jetë i mjaftueshëm për ta detyruar Rusinë t'i japë fund luftës”.
“Ekipi ynë është i përgatitur të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive me të gjithë partnerët në Amerikë, Evropë dhe pjesë të tjera të botës, të cilët janë të përkushtuar për të afruar paqen. Ne i jemi mirënjohës Arabisë Saudite dhe personalisht Princit të Kurorës që ofroi një platformë për të punuar delegacionet tona”, ka shkruar Zelensky. /Telegrafi/









































