Rruga Tetovë-Prizren vazhdon të presë në sirtarët e ministrive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë thotë se që nga ardhja e saj në këtë funksion ka arritur që detyrën projektuese ta dorëzojë te pala e Kosovës, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga atje. Sipas saj, janë ndarë 2 milionë euro për projektimin e projektit kryesor.

“Në fillim të mandatit tim hasëm në një memorandum bashkëpunimi mes dy qeverive, por që nuk kishte lëvizur asnjë hap në kuadër të tij. Brenda një viti arritëm ta kalojmë fazën e detyrës projektuese, e përgatitëm dhe e dorëzuam te pala kosovare, por për shkak të procesit zgjedhor pati ngecje në miratimin nëse gjithçka është në rregull. E mira është se 2 milionë euro janë ndarë në buxhetin e “Rrugëve shtetërore” për hapjen e tenderit për projektin kryesor”, tha Kaltrina Zekolli Shaqiri – zëvendësminisre e Transportit.


Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se komuna ka hapur një tender për projektimin e një qarkoreje mbi fshatin Shipkovicë, e cila do të shërbejë si rrugë që kalon mbi fshat dhe do të lidhë zonën me fshatrat e Malësisë së Tetovës, deri te tuneli Tetovë-Prizren.

“Për momentin është bërë shpallja për projektimin dhe depërtimin e aksit nga rruga e Kodrës së Diellit deri në dalje të Shipkovicës, respektivisht një bypass mbi fshatin Shipkovicë. Besoj se, me përmbylljen e procedurave administrative dhe përzgjedhjen e operatorit, diku në pranverë do të nisin edhe punët në terren për depërtimin e këtij bypass-i”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Rruga Tetovë-Prizren premtohet prej vitesh. Edhe pse qeveritë nga të dyja anët kanë deklaruar vazhdimisht se janë duke projektuar ose duke përgatitur projekte, deri më tani asnjë punë konkrete nuk është parë në terren. Kjo rrugë do ta lidhte Tetovën me Prizrenin për rreth 45 minuta, në vend të rrugës aktuale që zgjat mbi tre orë. /tv21