Statistikat zyrtare nga Gjermania tregojnë një situatë shqetësuese në lidhje me dhunën ndaj grave gjatë vitit 2024.

Sipas raportit të publikuar, vitin e kaluar në vend u vranë 308 gra, ndërsa në 191 raste autorët kanë qenë partnerë, ish-partnerë ose anëtarë të familjes.


Kjo shifër përfaqëson 32 vrasje më pak krahasuar me vitin 2023, por ekspertët theksojnë se problemi mbetet serioz.

Kur përfshihen si vrasjet e kryera ashtu edhe tentativat për vrasje, numri i grave që u bënë shënjestër e dhunës arrin në 859 gjatë vitit 2024, ndërsa një vit më parë ishin 938. Në 68 për qind të rasteve, autorët ishin persona të afërt me viktimat – partnerë, të njohur apo të afërm.

Autoritetet gjermane sqarojnë se të dhënat për vitin 2023 dhe për vitet pararendëse janë rishikuar dhe korrigjuar drejt poshtë për shkak të ndryshimit të metodologjisë së matjes, raporton dpa.

Përveç vrasjeve, statistikat tregojnë rritje edhe në forma të tjera dhune ndaj grave:

53.451 raste të dhunës seksuale, një rritje prej 2.1 për qind krahasuar me vitin paraprak; gati gjysma e viktimave ishin të mitura;

187.128 raste të dhunës në familje, 3.5 për qind më shumë se në vitin 2023;

18.224 raste të dhunës digjitale, kryesisht shantazh, përndjekje ose kërcënime – një rritje prej 6 për qind;

593 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, 0.3 për qind më shumë se një vit më parë.

Raporti thekson se shifrat përfshijnë vetëm rastet e denoncuara, ndërsa një pjesë e madhe e dhunës ndaj grave mbetet e padukshme dhe e pa raportuar, veçanërisht brenda familjes dhe në hapësirat digjitale.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e numrit të rasteve të regjistruara nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje reale të dhunës, por mund të jetë rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë së grave për të denoncuar agresorët e tyre. /Telegrafi/