"Rrezik për sigurinë kombëtare" - caktohet paraburgim për Bojan Jevtiqin, i dyshuar për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe u aprovua nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Gjykata vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes dhe shmangies nga procedura penale”, thuhet në njoftim.
Tutje, gjykata thekson seriozitetin e rastit, duke përmendur se “i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë, përkatësisht për vepër penale spiunazhi, dhe cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, si arsye për caktimin e paraburgimit përmendet edhe mundësia që Jevtiq të ndikojë në prova dhe dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale.
“Çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprave”, nënvizohet në vendimin e gjykatës.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/





















































