Ronaldo, një makineri e golave dhe rekordeve

Për sulmuesin portugez të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ky sezon pritet të jetë sezon i rekordeve të thyera, transmeton Arena.
Pas het-trikut ndaj Deportivo La Corunas dhe ‘pokerit’ ndaj Elches së martën, Ronaldo ka thyer edhe një rekord me fanellën e ‘Los Blancos’.
Ylli portugez me këto gola ka arritur golashënuesin e tretë në histori të Real Madridit në La Liga, Santillana, duke shënuar plot 186 gola për ‘mbretërit’ vetëm në kampionatin spanjoll.
Megjithatë, forma e mirë që po kalon ish futbollisti i Manchester United, na bënë të mendojmë se shumë shpejt mund të bëhet golashënuesi më i madh në histori të klubit mbretëror.
Deri tek ky rekord, Ronaldo ka para vetës vetëm Alfredo Di Stefanon me 216 gola dhe Raulin me 228 sosh.
Mënyra e shënimeve
Forma jetësore që është duke kaluar Cristiano Ronaldo në këtë fillim të sezonit, duke shënuar plot tetë gola në tri ndeshjet e fundit, ka bërë që portugezi të arrijë në shifrën e 264 golave në 254 paraqitje në përgjithësi në fanellën e bardhë të ‘mbretërve’. Që nga ardhja e tij në Real Madrid para gjashtë sezoneve, Ronaldo nuk ka lënë mënyrë pa shënuar gol.
Kështu, lojtari më i mirë momentalisht në botë, nga 264 golat e shënuara, 184 prej tyre i ka shënuar me këmbën e tij të preferuar, të djathtën.
Me këmbën e majtë, sulmuesi portugez ka shënuar plot 49 gola, ndërsa 31 nga to i ka shënuar me kokë.
Nga 264 golat, portugezi 220 i ka shënuar brenda zonës së 16 metërshit, ndërsa 44 jashtë saj. Nga pika e bardhë Ronaldo ka qëlluar plot 47 herë, teksa 24 i ka shënuar nga goditjet e dënimit. /Telegrafi/















































