Ekzema është reaksion inflamator i lëkurës. Mjekimi paraqet sfidë për mjekun dhe kërkon bashkëpunim të plotë mes mjekut dhe pacientit apo prindërve. Në këtë drejtim probiotikët apo “bakteret e mira” janë premtuese.
Ass. Dr. Laura Pajaziti, Mr.Sci.
Dermatologe
+ 377 44 238 745
e-mail: laurapajaziti@gmail.com
Ekzema afekton 5-20% të popullsisë në botë. Në 85% të rasteve, dermatiti atopik shfaqet brenda vitit të parë të jetës dhe në 95% të rasteve para moshës 5 vjeçare. Çrregullimet në sistemin imunitar qelizor janë bazë e zhvillimit të ekzemës. Faktorët që mund të nxisin ose përkeqësojnë ekzemën janë: aeroalergjenet, alergjenet ushqimore, kushtet e ambientit të jashtëm, stresi, agjensët infektivë, lëndët e ndryshme ngacmuese, etj. Shenjat karakteristike për ekzemën janë: lëkura e thatë (kseroza), pllakat eritematoze me fshikëza, krusta dhe gërryerje si pasojë e kruarjes.
Mjekimi i ekzemës atopike paraqet sfidë për mjekun dhe kërkon bashkëpunim të plotë mes mjekut dhe pacientit apo prindërve (kujdestarëve). Në rastet më të lehta mjekimi bëhet me lyerje me pomada kortikosteroide, emolientë dhe preparate imunomodulatore lokale. Në forma më të rënda duhet të ordinohen antihistaminikët, madje edhe kortikosteroidet në mënyrë sistemike.
Reaksionet alergjike ndaj përbërësve ushqimorë janë të shpeshta te motakët dhe fëmijët e vegjël. Në numrin më të madh të rasteve alergjia në produktet ushqimore haset te fëmijët me formë të rëndë të dermatitit atopik, ose te ata që vuajnë edhe nga forma respiratore e atopisë.
Sipas një studimi të botuar në Journal of Allergy and Immunology më 1999, gati gjysma e foshnjave me ekzemë kishin alergji në produktet ushqimore. Prej tyre, në 1/3 e foshnjave me formën më të rëndë të ekzemës, 96% kishin alergji të dokumentuar në produktet ushqimore.
Duke pasur parasysh nevojën për përdorimin e preparateve të ndryshme topikale për mjekimin e dermatitit atopik, e në rend të parë aplikimin e preparateve kortikosteroide si dhe preparateve tjera përdorimi i të cilave është i kufizuar për shkak të moshës, Food and Drug Administration (FDA) ka tërhequr vërejtjen për përdorimin e tyre nën moshën 2 vjeçare duke inkurajuar përdorimin e preparateve me bazë natyrore. Në këtë drejtim probiotikët apo “bakteret e mira” janë premtuese. Përdorimi i tyre duket të jetë i efektshëm në rastet e alergjisë së dokumentuar në produktet ushqimore.
Te të sëmurët me ekzemë është konstatuar se përbërja e mikroflorës intestinale dallohet nga ajo te personat e shëndoshë. Mendohet se këto dallime në mikroflorë mund t’i prijnë zhvillimit të ekzemës aktive duke sugjeruar se mikroflora abnormale intestinale mund të shkaktojë ose përkeqësojë ekzemën.
Probiotikët njihen edhe si “baktere të mira” dhe gjenden në zorrë, por edhe në lëkurë. Konsiderohet se probiotikët kanë potencial imunomodulator dhe sfidojnë sistemin imunitar në mënyrë të shëndetshme.
Lactobacillus dhe bifidobacterium janë probiotikët më të shpeshtë që mund të izolohen në shumë ushqime si: jogurti, qumështi i papasterizuar, soja e fermentuar, kërpudhat e tharmit dhe infant formulat. Pas përdorimit të këtyre produkteve ushqimore, mund të ndryshojë mikroflora intestinale e të sëmurëve me ekzemë.
Prebiotikët janë suplemente apo lëndë ushqimore që përmbajnë materie të patretshme të cilat në mënyrë selektive ndikojnë në rritjen dhe aktivitetin e bakterieve probiotike.
Hulumtimet lidhur me efektin probiotikëve në ekzemë
• Një hulumtim u realizua në 27 foshnje të moshës mesatare 4,6 muaj, që vuanin nga ekzema. Të gjitha foshnjat ushqeheshin me gji dhe nuk kishin marrë asnjëherë infant formula. Pas dhënies ditore të probiotikëve gjatë dy muajve, u arrit përmirësim i rëndësishëm i ekzemës, për çka hulumtuesit publikuan rezultatet në vitin 2000 në “Clinical and Experimental Allergy”, duke konkluduar se probiotikët mund të ndihmojnë në përmirësimin e ekzemës së fëmijërisë.
• Në vitin 2005, në një hulumtim lidhur me efektin e probiotikëve në ekzemë, janë përfshirë foshnjat për të cilat mendohej se kanë tejndjeshmëri në qumësht. Për këtë arsye është eliminuar qumështi nga menyja e këtyre foshnjave si dhe nga nënat gjidhënëse. Gjatë kësaj kohe trajtimi bëhej vetëm me kremra në mënyrë lokale. Foshnjat janë ndarë në dy grupe: njërit grup i janë dhënë probiotikët, kurse tjetrit placebo. Të gjitha foshnjat janë përmirësuar për 65%. Mirëpo, foshnjat me testet pozitive të alergjisë (për qumësht), që morën Lactobacillus GG(LGG) treguan përmirësim 32% më të madh në krahasim me ato që morën placebo.
• Weston me bashkëpunëtorë kanë raportuar se suplementimi me Lactobacillus fermentum në fëmijët e moshës 6-18 muajsh me ekzemë mesatare ose të rëndë ka rezultuar me përmirësim të rëndësishëm të SCORAD-it (sistem për vlerësimin e aktivitetit të sëmundjes) në krahasim me fëmijët me placebo.
• Në një studim tjetër, 88 fëmijë me ekzemë të moshës 2-10 morën për 12 javë probiotikë gjë që solli deri te përmirësim i rëndësishëm i ekzemës. Rezultati u publikua në “Annals of Allergy, Asthma and Immunology” 2010.
• Në vitin 2008 një grup ekspertësh nga Universiteti Yale kanë konstatuar se probiotikët janë më të efektshëm për:
– Diarrenë akute të fëmijërisë,
– Parandalimin e diaresë që ka të bëjë me përdorimin e antibiotikëve,
– Rregullimin e përgjigjes imune,
– Trajtimin dhe parandalimin e ekzemës së shoqëruar me alergji ndaj qumështit të lopës.
Duke krahasuar foshnjat e shëndosha me ato që kanë ekzemë, ata kanë konstatuar se në këto dy grupe foshnjash, janë të pranishme lloje dhe sasi të ndryshme të “bakterieve të mira” në zorrët e tyre.
• Në Holandë është bërë një hulumtim lidhur me rolin preventiv të probiotikëve në shfaqjen e ekzemës. Në hulumtim, 150 grave shtatzëna që kanë pasur histori familjare pozitive për alergji, u janë dhënë 3 lloje të probiotikëve ose placebo, gjatë 6 javëve të fundit të shtatzënisë. Pas lindjes, fëmijëve është vazhduar t’u jepen probiotikët ose placeboja edhe gjatë 1 viti. Në muajin e tretë pas lindjes, është konstatuar se fëmijët të cilët kanë marrë probiotikë kanë pasur gati përgjysmë më pak ekzemë se sa grupi me placebo. Pas vitit të parë, fëmijëve nuk u janë dhënë probiotikët, por ata janë përcjellë deri në moshën 2 vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ka perzistuar diferenca mes dy grupeve, por rëndësia e këtij dallimi është zvogëluar me kohën.
• Wickens me bashkëpunëtorë në hulumtimin e tyre kanë përcjellur veprimin e Lactobacillus rhamnosus HN001 dhe Bifidobacterium animalis subsp. lactis HN019. Për këtë qëllim u përcollën 425 fëmijë nga lindja deri në moshën 4 vjeçare. Në hulumtim janë përfshirë gratë shtatzëna të cilat supozohej se do të lindnin fëmijët me rrezik të lartë për zhvillim të dermatitit atopik. Gratë janë renditur në mënyrë në 3 grupe dhe u janë ordinuar probiotikët e llojit HN001, HN019, respektivisht placebo, deri në lindje. Grave që i kanë ushqyer fëmijët me gji, u është vazhduar dhënia e probiotikëve sipas grupeve, deri në 6 muaj. Fëmijët e regjistruar sipas grupeve kanë vazhduar të marrin probiotikët deri në moshën 2 vjeçare. Në këtë kohë, hulumtuesit kanë mbledhur të dhëna lidhur me praninë e ekzemës dhe për ndonjë histori lidhur me astmën apo rinitin alergjik te këta fëmijë. Fëmijët janë përcjellur deri në moshën 4 vjeçare, përkundër ndërprerjes së dhënies së probiotikëve.
Paraqitja e ekzemës dhe intensiteti i sëmundjes janë vlerësuar në bazë të kritereve klinike të standardizuara, duke përdorur SCORAD-in. Rezultatet e fituara janë publikuar në tetor 2008 në Journal of Allergy and Clinical Immunology:
– Fëmijët që u trajtuan me HN001 kishin 49% reduktim të prevalencës së ekzemës. Hulumtimi tregoi se benefitet që fitohen nga lloji HN001 perzistojnë deri në moshën 4 vjeçare, edhe pse terapia është ndërprerë 2 vjet më parë. Ky fakt sugjeron se ky probiotik mund të jetë intervenim i duhur parandalues për infantët me rrezik të lartë.
– HN001 kishte ndikim pozitiv të rëndësishëm edhe lidhur me reduktimin e rrezikut për zhvillimin e rinokonjunktivitit gjatë 12 muajve në krahasim me grupin me placebo, por nuk kishte efekt të rëndësishëm në reduktimin e shfaqjes së astmës. Efekti i llojit HN019 ishte i ngjashëm me atë të placebos.
Nga të gjitha këto hulumtime mund të konstatohet roli dhe rëndësia e probiotikëve në parandalimin dhe trajtimin e ekzemës. Megjithatë nevojiten hulumtime më të gjera për të gjitha llojet e probiotikëve, në mënyrë që të aplikohet përdorimi rutinor. Probiotikët nuk duhet t’u ordinohen fëmijëve me sëmundje kronike të rënda dhe fëmijëve me sistem imunitar të kompromituar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje