Ish-futbollisti i njohur brazilian Robinho, i cili u dënua me nëntë vjet burg për përdhunim të një vajze shqiptare në grup me disa persona të tjera sa ishte në Itali, tani së bashku me ekipin e tij ligjor kanë gjetur një mënyrë për të dalë nga burgu.
Robinho është mbajtur në burgun Tremembe në Sao Paulo për 11 muaj pasi u dënua për përdhunim në grup të kryer në vitin 2013.
Ish-futbollisti fshihej në Brazil dhe duke qenë se dy vendet nuk kishin një traktat ekstradimi, ai jetoi i qetë shumë kohë pas vendimit.
Megjithatë, ai përfundoi në burg, por së bashku me ekipin e tij ligjor tani ka gjetur një mënyrë për të shmangur dënimin e plotë.
Siç raporton braziliani Globo, avokatët e Robinhos kanë kërkuar zyrtarisht rishikimin e dënimit dhe vendosjen e një regjimi gjysmë të hapur për shkak të dallimeve në legjislacionin e Italisë (ku është kryer dhunimi) dhe Brazilit (ku ai vuan dënimin).
Përkatësisht, avokatët kërkojnë që dënimi i Robinhos të rishikohet në minimumin e paraparë me ligjin brazilian, që është gjashtë vjet burg gjysmë i hapur. Kjo do t’i lejonte Robinhos të dilte nga burgu.
Robinho tha në një intervistë për TV Record se kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar pafajësinë e tij, të cilat sistemi gjyqësor italian i injoroi.
Kërkesa e ish-futbollistit për mbrojtje është në rendin e ditës të seancës online të Gjykatës Speciale të planifikuar për më 13 mars. Më pas do të shpallet një vendim për lirimin e mundshëm të Robinhos nga burgu. /Telegrafi/