Pankartat në formë fotosh me mbishkrime mësohet se janë nisur të shpërndahen në zonën e '9-katësheve', në bulevard dhe përreth zonës së qendrës, ndërsa policia është vënë menjëherë në punë për izolimin e shpërndarjes dhe ngjitjes së posterave në shtylla dhe mure.

Paçka se policia e Tiranës ka refuzuar të flasë në lidhje me sipërmarrjen e të rinjve, bëhet e ditur se një prej të shoqëruarve orëve të para të së djeshmes është edhe vëllai i Erison Durdës, 6-vjeçarit që humbi jetën pas plagëve që mori nga shpërthimi tragjik i fabrikës së Gërdecit 3 vite më parë, raportoi Gazeta.


Geraldo Durda, Arlind Kote dhe Dritan Broka janë tre prej të rinjve që janë vënë nën akuzën e "shpërndarjes së informacionit që përhap panik". Ky akt është i parashikuar edhe në Kodin Penal nën akuzën e "mashtrimit publik", e për pasojë policia në bashkëpunim edhe me prokurorinë bëhet e ditur se kanë nisur hetimet për të mësuar se ku dhe si është organizuar grupi për të shpërndarë postera me përmbajtje të tillë.

Mësohet se në fotografi rezultonte të ishte hartuar njoftimi i vdekjes së kryeministrit, ose më saktë i vrasjes së tij, ku hartuesit sipas të dhënave kishin përcaktuar edhe autorët e "vrasjes" që ishin sipas tyre, viktimat e Gërdecit dhe grevistët e Bulqizës. Paçka se sipas të dhënave që vijnë nga forumi në të cilin bëjnë pjesë tre të akuzuarit e policisë, përmbajtja e posterave ka qenë simbolike, hetimi është përqendruar pikërisht në faktin se veprimi i të rinjve përbën vepër penale.

Deri orëve të vona të së mbrëmshmes të shoqëruarit kanë qenë në ambientet e komisariatit, ndërkohë që policia refuzon të flasë publikisht për aktin e kryer prej tyre. Burime jozyrtare policore bëjnë me dije sa kanë bllokuar një lap-top, një automjet dhe se po hetohen disa studio, të cilat dyshohet se përdoren për prodhimin e posterave të tillë. /Telegrafi/