Adnan Januzaj po përjeton një fazë të re në karrierën e tij me Sevillan. Edhe pse fillimi i sezonit nuk ishte ideal për shkak të dëmtimeve, anësori duket më i qetë dhe më i fokusuar se kurrë.

Ai pranoi një ulje page për të qëndruar në klub dhe tashmë ndjen se besimi i tifozëve po e ndihmon të rikthehet në formën e tij më të mirë.


“Jeta ime nuk ka ndryshuar shumë. Parimet e mia janë të njëjta. E vetmja gjë që ka ndryshuar është besimi që tifozët kanë tek unë. Kur një lojtar e ndien mbështetjen e publikut, ai luan më mirë. Nëse ndihesh i lënduar apo i përjashtuar, nuk mund të japësh maksimumin”, tha Januzaj për ABC.

Lidhur me vendimin për të pranuar uljen e pagës, ish-lojtari i Manchester United u shpreh se për të, futbolli është më i rëndësishëm se paratë.

“Paratë nuk kanë qenë kurrë problem. Sevilla po kalon një periudhë të vështirë financiare dhe unë bëra këtë sakrificë sepse dua vetëm të luaj. Nuk dua të përjashtohem apo të jem jashtë planeve. Kjo krijon pasiguri dhe nuk dua ta përjetoj”, deklaroi ai.

Januzaj foli me respekt edhe për trajnerin Matias Almeyda, të cilin e konsideron një figurë vendimtare në rikthimin e tij.

“Trajneri më tha që do të më ndihmonte të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Ai më dha besim që në ditën e parë dhe më tregoi se më vlerësonte për përkushtimin dhe dëshirën për të punuar”.

“Kur ke një trajner që të beson, gjithçka bëhet më e lehtë. Ndihem i respektuar dhe i motivuar të jap gjithçka në fushë”, ka thënë ai.

Në fund, 30-vjeçari la të hapur mundësinë për të qëndruar edhe pas përfundimit të kontratës aktuale.

“Këtë vit ka pasur komunikim më të mirë. Kam folur me presidentin dhe me Cordon, që më njeh prej kohësh. Nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por mund të qëndroj këtu. Tani dua vetëm të luaj dhe të ndihmoj skuadrën”, përfundoi ai.

Januzaj, i cili këtë sezon ka shfaqur paraqitje më të mira në La Liga, synon të rikthehet si një nga liderët e Sevillas dhe të rigjejë stabilitetin që kërkon prej kohësh në karrierë. /Telegrafi/

telegrafi sport app