Trajneri dikur i famshëm i Arsenalit, Arsene Wenger, tani është kreu i zhvillimit global të futbollit në FIFA, i cili prezantoi një ndryshim revolucionar në rregullin e pozicionit jashtë loje dy vjet më parë, si pjesë e raportit të tij për IFAB-in.

Propozimi i Wenger u la përkohësisht në pritje, por tani i është paraqitur përsëri IFAB-it dhe duket se ajo që përmban mund të sjellë një ndryshim epokal në futboll, shkruan As.


“Ligji i Wenger po përgatitet. Futbolli dridhet”, thuhet në titullin kryesor të gazetës spanjolle, e cila shton se rregulli u krijua si një propozim për të përmirësuar futbollin.

Shpesh është një burim polemikash kur ndryshimi midis një lojtari mbrojtës dhe sulmues është aq i vogël sa mezi shihet nga syri i njeriut.

Ligji i Wenger

Për të shmangur anulimin e golave për shkak të ndryshimeve të padukshme me sy të lirë, Wenger paraqiti një raport revolucionar që do të ndryshonte konceptin e pozicionit jashtë loje.

Sipas propozimit të tij, pozicion jashtë loje nuk do të shpallet më nëse vetëm një pjesë e trupit të sulmuesit është përpara kundërshtarit, por vetëm nëse i gjithë trupi i sulmuesit është përpara mbrojtësit.

Teknologjia mund të përcaktojë me saktësi momentin kur trupi i sulmuesit është në të vërtetë përpara trupit të mbrojtësit, dhe pozicioni do të ishte i parregullt vetëm nëse do të kishte një boshllëk.

Gjyqtari ndërkombëtar Iturralde Gonzalez tha në emisionin Carrusel Deportivo se versioni i ri i rregullit të pozicionit jashtë loje i është paraqitur përsëri IFAB-it pas dy vitesh heshtjeje dhe do të analizohet në takimin e ardhshëm vjetor./Telegrafi/

telegrafi sport app