Republikat tona të papërfunduara

Republikanizmi ekonomik na tregon se si mund të arrijmë lirinë autentike: qytetarët kanë nevojë për fuqi ekonomike, ashtu si për fuqi politike.
Nga: Sean Irvingis / aeon.co
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në të gjithë botën demokratike, qytetarët përshkruajnë një ndjenjë në rritje të pafuqisë. Qeveritë ngrihen dhe bien, por fuqia për të formësuar jetën e përditshme tani rrjedh diku tjetër - përmes tregjeve, korporatave dhe sistemeve të të dhënave të paprekshme nga mbikëqyrja demokratike. Një sondazh ndërkombëtar i kohëve të fundit zbuloi se, në pothuajse çdo vend të madh, shumica e njerëzve besojnë se ekonomia është manipuluar për të përfituar të pasurit dhe të fuqishmit; shumë vetë thonë se shoqëritë e tyre janë “të thyera”. Pakënaqësia ka nxitur një kthesë drejt politikave autoritare të cilat premtojnë kontroll, ndërkohë që forcojnë forma të reja të sundimit oligarkik. Një arsye pse autoritarët po fitojnë mund të jetë për shkak se liberalët dhe progresistët kanë një shqetësim të madh me pushtetin.
Gjithmonë në histori ekziston rasti kur shumëçka rreth momentit të tanishëm është e paprecedentë, dhe asnjë perspektivë e vetme nuk është e plotë, por nuk kemi pse të shkojmë shumë larg në histori për të gjetur një politikë shumë popullore dhe të fuqishme të organizuar rreth një ideali të lirisë që i bëri njerëzit kundërshtarë të ashpër të pafuqisë politike dhe ekonomike. Republikanizmi ekonomik ishte një nga traditat e mëdha të mendimit perëndimor të shekullit XIX dhe u pëlqeu atyre që ndiheshin të paaftë për të ndikuar në botën përreth tyre.
Marrëdhënia midis lirisë dhe pushtetit është në zemër të traditës republikane. Për shekuj me radhë, mendimtarët republikanë argumentuan se liria kërkonte institucione të afta për të frenuar pushtetin arbitrar. Diskurset [Discorsi, 1531] i Niccolò Machiavellit pohonte se vetëm një popull që është i aftë të kontrollojë elitat mund të mbetet i lirë. Okeana [Oceana,1656] i James Harringtonit, shkruar gjatë republikës së shkurtër të Anglisë, ndihmoi në artikulimin e lidhjes midis pavarësisë dhe pronësisë. Në revolucionet amerikane dhe franceze, idetë republikane u bënë parime që formuan shtetin: Kontrata Sociale [Du contrat social, 1762] e Jean-Jacques Rousseausë i radikalizoi kërkesat për sovranitet për popullin, ndërsa John Adamsi, Thomas Jeffersoni dhe autorët e Shënimeve Federaliste [Federalist Papers, 1787-88] argumentuan se vetëm kontrollet dhe balancat kushtetuese mund ta siguronin lirinë.
Në shekullin XIX, republikanizmi ekonomik i zbatoi këto shqetësime të vjetra në ekonomitë e reja industriale të Perëndimit. Idealet e tij formësuan disa nga konfliktet më të rëndësishme politike dhe shoqërore të epokës: duke nxitur sindikalistët britanikë të luftonin për kontrata kolektive dhe orë më të shkurtra pune, duke nxitur revolucionet e vitit 1848, dhe duke shtyrë para - më vonë gjatë shekullit - reformën agrare dhe përpjekjet kundër monopoleve.
Për të pasur kuptim termi "republikanizëm ekonomik", ndihmon të dimë se si historia e gjatë e teorisë politike republikane e sheh pushtetin. Kjo kthehet prapa në botën e Greqisë dhe Romës klasike, dhe nuk ka qenë gjithmonë domosdo kundër monarkisë. Angazhimi i saj më i thellë është ndaj një shoqërie të organizuar si një res publica - një gjë publike - në mënyrë që pushteti të rregullohet ashtu që të sigurojë lirinë e qytetarëve të saj. Siç kanë treguar studiuesit si Quentin Skinner, Philip Pettit dhe të tjerë, liria republikane kuptohet më mirë si mungesë e dominimit. Një person nuk është i lirë sa herë që jeton në mëshirën e vullnetit të dikujt tjetër pa një mjet efektiv për t’i bërë ballë. Ajo që komprometon lirinë dhe çon në mungesë lirie, besojnë republikanët, nuk është ndërhyrja e drejtpërdrejtë në veprimet e një personi, por ekspozimi ndaj pushtetit arbitrar: një skllav me një padron dashamirës nuk mbetet i lirë.
Për republikanët, vetëqeverisja është e domosdoshme për lirinë. Vetëm kur njerëzit e zakonshëm kanë rol domethënës në qeverisje, ata nuk varen më thjesht nga vullneti i mirë i të tjerëve. Vetëqeverisja i shndërron individët nga subjekte të dominimit të dikujt tjetër në bashkautorë të botës së përbashkët.
Republikanët klasikë dhe të epokës së hershme moderne e përshkruanin dominimin në terma të imperium dhe dominium. Imperiumi ishte pushteti publik arbitrar, aftësia e mbretërve, ministrave, guvernatorëve për të komanduar pa pëlqimin e popullit. Dominiumi, pushteti privat arbitrar, ishte autoriteti që pronarët, burrat, etërit, zotërinjtë dhe më vonë punëdhënësit ushtronin mbi ata që vareshin prej tyre. Në mënyrë domethënëse, siç vëren teoricienia politike Camila Vergara te Korrupsioni sistematik [Systemic Corruption, 2020], republikanët e hershëm modernë ishin shpeshherë mbrojtës elitarë të lirisë në shtet, por edhe të hierarkisë në shoqëri.
Pronaret e tokave, tregtarët dhe pronarët e skllevërve kërkonin kufizime mbi autoritetin mbretëror, ndërkohë që mbronin dominimin e tyre privat. Liria e tyre mbështetej mbi mungesën e lirisë së të tjerëve. Për këta burra të fuqishëm, prona - veçanërisht toka dhe me të kontrolli mbi ata që punonin në të - ishte ajo që u jepte të drejtën për autoritet politik. Ajo siguronte pavarësinë e tyre, sinjalizonte se ata mund të qeverisnin “me përgjegjësi” dhe garantonte se vetë ata nuk do t’i nënshtroheshin pushtetit publik arbitrar. Sipas të njëjtës logjikë, atyre pa pronë u mohoheshin të drejtat politike.
Për dallim, republikanët e popullit këmbëngulnin që procesi politik duhet të ishte i hapur për ata pa prona, megjithëse zakonisht përjashtonin gratë dhe njerëzit indigjenë dhe të skllavëruar. Nga shekulli XVII e tutje, grupe të tilla, si levelerët, jakobinët dhe kartistët e hershëm, kërkuan të zgjeronin republikën kushtetuese. Megjithatë, ata e lanë rendin shoqëror dhe ekonomik kryesisht të paprekur. Megjithatë, parimi i lirisë që republikanët kushtetues përmendnin përmbante një logjikë më të thellë sesa shumëkush e kuptonin.
Republikanët ekonomikë të shekullit XIX kuptuan lidhjen e gjatë të traditës mes pushtetit ekonomik dhe atij politik. Në mënyrë radikale, ata kërkuan t’i universalizonin të dy ato. Duke paraqitur argumentin pozitiv për ta bërë këtë, ata e zgjeruan kritikën republikane të dominimit, duke e shtrirë atë nga sfera kushtetuese në atë ekonomike.
Nëse ajo që e bën një person jo të lirë është varësia nga vullneti i dikujt tjetër, atëherë varësia private është, argumentonin ata, po aq korrozive sa varësia publike. Një punëtor që mund të pushohet nga puna sipas tekave, një qiramarrës pa siguri, një debitor i lidhur me një kreditor - secili jeton nën një strukturë nënshtrimi të ngjashme me atë të një subjekti ndaj princit. Objekti i dyshimit republikan nuk ishte më vetëm mbreti, ministri apo ushtria në gatishmëri. Në shoqëritë e reja industriale të Perëndimit, ai ishte gjithashtu pronari i fabrikës, menaxheri, monopolisti, kreditori dhe pronari i tokave të shumta. Ushtrimi arbitrar i pushtetit ekonomik ishte, për republikanët ekonomikë, pa asnjë dyshim një formë dominimi.
Një republikë e realizuar plotësisht kërkonte çmontimin e pushtetit arbitrar ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve përmes të cilave njerëzit mund të qeverisnin jetën e tyre ekonomike. Megjithatë, republikanët ekonomikë nuk kërkonin shpëtimin në një shtet gjithëpushtetshëm; ata e shihnin despotizmin publik me të njëjtin dyshim që kishin ndaj autoritetit privat.
Përderisa ndryshonin pikëpamjet e tyre nëse konkurrenca e tregut mund të siguronte më së miri vetëqeverisjen, ata ishin të një mendjeje për çështjen qendrore: vetëqeverisja popullore ekonomike kërkonte liri si nga imperiumi, ashtu edhe nga dominiumi. Edhe pse historianët kanë vërejtur fijet republikane brenda socializmit të shekullit XIX, ata nuk i kanë njohur këta autorë si pjesëmarrës në një bisedë të vetme njëqindvjeçare me autorë pro-konkurrencës të përqendruar në problemin e përbashkët të kufizimit të pushtetit arbitrar në të dyja format e tij - publike dhe private.
Shprehia e mëvonshme e shekullit XX për të paraqitur politikën në terma të “shtetit” kundrejt “tregut”, e ka turbulluar këtë trashëgimi. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, republikanët ekonomikë përbënin një traditë të vetme të bashkuar nga një projekt i përbashkët: shpërndarja e pushtetit për qëllime të popullit dhe krijimi i institucioneve ekonomike të afta për të mbajtur vetëqeverisjen.
Këtë mund ta shohim në veprën e vetëm disa prej tyre: Thomas Hodgskin (1787-1869), John Francis Bray (1809-1897), Pierre-Joseph Proudhon (1809-1865), Jeanne Deroin (1805-1894), Henry George (1839-1897) dhe Henry Hyndman (1842-1921).
Ish-oficeri i Marinës Mbretërore, Thomas Hodgskin, ishte ndër të parët që identifikoi se kishte dalë në pah një klasë e re sunduese. Një figurë kyçe në themelimin e [revistës] Mechanic’s Magazine në vitin 1823, si dhe të instituteve të para për mekanikët - bastione të vetedukimit të klasës punëtore - ai deklaroi se “kapitalistët” kishin zëvendësuar aristokracinë e lashtë. Lufta për liri, argumentonte ai, nuk ishte më kundër mbretërve apo fisnikëve, por kundër punëdhënësve që pretendonin të drejtën për të komanduar punën.
Hodgskini, një dishepull i Adam Smithit, ishte në shumë aspekte një libertarian anti-establishment i tregut. Konkurrenca e vërtetë - e lirë nga monopoli dhe privilegji - do të mundësonte, besonte ai, që punëtorët të bashkëpunonin si prodhues të pavarur. Një ekonomi e lirë, e strukturuar siç duhet, do të ngjante më shumë me një rrjet asociacionesh vetëqeverisëse sesa me një hierarki padronësh dhe shërbëtorësh. Vizioni i tij frymëzoi lëvizjen e hershme kooperative dhe zejtarët radikalë që shihnin themelin e qytetarisë te vetë prodhimi.
John Francis Bray, me shumë gjasë, hasi idetë e Hodgskinit në Shoqatën e Burrave Punëtorë të Lidsit, ku ai mbajti një kurs leksionesh. I lindur në Shtetet e Bashkuara, Bray ishte shtypshkrues autodidakt dhe më vonë fermer; ai propozoi një “Republikë të Punës”, një federatë punishtesh kooperative të lidhura përmes këshillave lokalë. Çdo punëtor do të zotëronte pronë personale, por do të bashkonte burimet në shoqëri me kapital të përbashkët, duke koordinuar prodhimin dhe shkëmbimin përmes planifikimit demokratik.
Modeli i Brayt e hodhi poshtë si konkurrencën kapitaliste, ashtu edhe kontrollin burokratik. Koordinimi ekonomik, besonte ai, duhet të ishte një akt qytetarie - njerëzit, duke qeverisur së bashku jetën e tyre të përbashkët. Planifikimi ekonomik nuk ishte teknokratik, por republikan: ishte proces përmes të cilit një popull i lirë mund të merrte vendime kolektive për të ardhmen e tyre materiale. Kur u kthye në ShBA, Bray mbeti një figurë e rëndësishme brenda republikanizmit ekonomik. Ai ishte nënkryetar i Ligës Amerikane për Reformën e Punës; kur u bashkua me Urdhrin e Kalorësve të Punës, në Pontiak - pranë të cilit banoi - e quajtën asamblenë me emrin e tij. Në fund të jetës, ai ishte gjithashtu i lidhur me Partinë Populiste.
Trazirat e vitit 1848 në Francë i çuan idetë e republikanizmit ekonomik nga teoria radikale në politikën e hapur. Anarkisti, shtypshkruesi dhe filozofi Pierre-Joseph Proudhon argumentonte se ishte bosh revolucion politik pa atë ekonomik. Teksa fillimisht u frymëzua nga propozimet e Brayt për Certifikatat e Punës dhe shkëmbim e barabartë, Proudhoni shpejt i tejkaloi ato. Në vitin 1848, ai propozoi një Bankë të Popullit që do të siguronte kredi pa interes për shoqatat e punëtorëve, duke mundësuar pronësinë dhe kontrollin kolektiv të prodhimit. Qëllimi i tij, siç e tha vetë, ishte të “republikanizonte monedhën”, që financa vetë të bëhej një instrument i vetëqeverisjes ekonomike dhe jo i dominimit privat.
Megjithëse jetëshkurtër, ky eksperiment me kredi të ndërsjellë shënoi kontributin më origjinal të Proudhonit në republikanizmin ekonomik. Ai e zgjeroi parimin e vetëqeverisjes në sferën monetare, duke këmbëngulur që kredia, ashtu si vetë republika, duhet t’i përkasë të gjithëve dhe të qeveriset nga ata që ajo i obligon. Ideja mbijetoi përtej institucionit, duke ndikuar te bankat e mëvonshme kooperative dhe të ndërsjella, si dhe në bindjen më të gjerë se liria kërkon jo vetëm të drejta politike, por edhe sovranitet ekonomik.
Feministja dhe socialistja Jeanne Deroin, një rrobaqepëse, mësuese dhe gazetare, e çoi republikanizmin në një drejtim të ri. Edhe pse e frymëzuar nga Proudhoni, ajo hasi vetëm përçmimin e tij; këmbëngulja e saj për barazi gjinore dhe kandidimi i saj në vitin 1849 për Asamblenë Legjislative e ofenduan mizogjininë e tij të thellë. Autoritetet e shpallën të pavlefshëm kandidaturën e saj, por deri atëherë ajo veçse kishte dhënë kontributin e saj më të rëndësishëm intelektual në republikanizmin ekonomik.
Shoqata Vëllazërore dhe Solidare e të Gjitha Shoqatave e Deroinit, parashikonte një bashkësi proto-sindikaliste që bashkonte prodhuesit dhe konsumatorët në një federatë të vetme demokratike. Çdo anëtar, shkruante ajo, “duke votuar për buxhetin e saj ... do të sanksiononte veprimet e Komisionit Qendror dhe do të shenjtëronte parimin e sovranitetit të popullit”. Liria, këmbëngulte ajo, kërkon përfshirjen e të gjithëve që kontribuonin në jetën shoqërore; grave, fëmijëve, të sëmurëve dhe të moshuarve, si edhe të punëtorëve industrialë. Demokracia ekonomike nuk ishte vetëm çështje e prodhimit, por e pjesëmarrjes universale: një republikë në të cilën të varurit dhe të përjashtuarit njiheshin si qytetarë të tërësisë shoqërore. E internuar në Londër pas reagimit bonapartist, Deroini krijoi një urë lidhëse mes revolucionarëve të vitit 1848 dhe lëvizjeve socialiste e feministe që po shfaqeshin në pjesën e dytë të shekullit XIX.
Një brez i tretë i republikanizmit ekonomik u shfaq në veprën e reformatorit amerikan Henry George. Duke shkruar në mesin e pabarazive të Epokës së Artë, George ringjalli lidhjen republikane midis pronës dhe pushtetit. Libri i tij, Progresi dhe varfëria [Progress and Poverty, 1879], u shit në miliona kopje, duke e bërë atë ekonomistin më të lexuar të shekullit XIX. Si shtypshkrues autodidakt që u bë gazetar, ai argumentonte se monopoli privat mbi tokën ishte rrënja e dominimit shoqëror. “Të thuash se toka e një vendi do të zotërohet nga një klasë e vogël”, paralajmëronte ai, “është të thuash se ajo klasë do ta sundojë atë; ... republikanizmi është i pamundur”. Ai propozoi një taksë të vetme mbi vlerat e tokës së pamerituar për t’ia rikthyer komunitetit qiratë në natyrë, duke pajtuar pronën publike me atë private, bashkëpunimin me konkurrencën. Individët mund të zotëronin tokë, por rritja e vlerës së saj, krijuar nga aktiviteti kolektiv, do të rikuperohej për të mirën e përbashkët duke shpërndarë pushtetin ashtu që asnjë klasë të mos mund të sundonte një tjetër. Edhe pse George i përkrahte ndërmarrjet kooperative, ai besonte se ato mund të lulëzonin vetëm në një rend të drejtë konkurrues.
Idetë e Georgeit e shndërruan atë një figurë botërisht të njohur të reformës dhe dy herë kandidat për kryetar bashkie të qytetit të Nju-Jorkut, ku ai bëri fushatë për reformën e tokës dhe ringjalljen demokratike. Edhe pse i mundur, lëvizja e tij ndihmoi në frymëzimin e Epokës Progresive. Trashëgimitë e saj më konkrete, edhe pse të paplota, mund të gjenden në Singapor dhe në Hong-Kong, ku kapja publike e qirave të tokës financon strehimin dhe infrastrukturën. Sot, mes krizave në rritje të strehimit dhe thirrjeve të ripërtërira për taksa mbi pasurinë dhe fitimet e papritura, vepra e tij ka një interesim të ri.
Kriza e Tokës në Irlandë ishte vendimtare për zhvillimin intelektual të Georgeit, dhe idetë e tij u përhapën në të gjithë Perandorinë Britanike. Ndër më të ndikuarit ishte Henry Hyndman, themeluesi i Federatës Socialdemokrate të Britanisë (SDF) dhe një nga të parët që përktheu marksizmin në debatin politik anglez. Hyndmani e cilësoi Georgein si një shpirt binjak, dhe të dy bashkëpunuan për një kohë të shkurtër mbi çështjen e nacionalizimit të tokës përpara se të ndanin rrugët. Socializmi i Hyndmanit ishte në mënyrë të veçantë republikan. “Një republikë e madhe demokratike angleze”, shkroi ai më 1884, “ka qenë gjithmonë ëndrra më fisnike e racës sonë ... Arritja e një republike të tillë është çështja për të cilën ne socialistët agjitojmë sot”.
Për Hyndmanin, planifikimi i centralizuar shtetëror nuk ishte zëvendësim për fuqinë e popullit. Socializmi, ashtu siç e konceptonte ai, kërkonte decentralizimin e autoritetit politik dhe ekonomik. Fabrikat, këshillat dhe shoqatat lokale duhej të qeveriseshin nga ata që punonin brenda tyre; barazia pa vetëqeverisje, paralajmëronte ai, do të riprodhonte thjesht nënshtrimin. Përmes SDF-së, Hyndmani ndihmoi në institucionalizimin e një socializmi republikan që e shndërroi vetë ekonominë në një hapësirë të qytetarisë. Ndikimi i tij arriti deri te Komiteti për Përfaqësimin e Punës, nga ku doli Partia Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.
Në të gjithë Britaninë, Francën dhe ShBA-në, këta mendimtarë formuan atë që tani mund të shihet si traditë koherente republikane, edhe pse e ndarë nga brenda. Ndonëse ndryshonin nëse konkurrenca e tregut mund të shërbente si kontekst për lirinë, ata kishin bindjen e përbashkët se varësia ekonomike, qoftë ndaj një shefi apo një burokrati, ishte e patolerueshme. Secili ndërtoi mbi njohjen e tjetrit, duke çuar përpara problemin e përbashkët të republikanizmit ekonomik: si të kufizohet si imperiumi ashtu edhe dominiumi dhe të vendoset sundimi i popullit.
Në shekullin XX, gjuha e pushtetit e republikanizmit ekonomik u zhvendos nga fjalorë të rinj politikë. E majta socialdemokrate, si trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e traditës republikane, e zëvendësoi angazhimin e saj ndaj lirisë dhe vetëqeverisjes me ndjekjen e barazisë. Duke vepruar kështu, ajo filloi të besonte se liria mund të sigurohej përmes agjencisë të shtetit dhe ekspertëve të tij; një ambicie në kundërshtim me idealin republikan të fuqisë së popullit.
Shumica e vizionit socialdemokrat u realizua pas vitit 1945: shteti i mirëqenies, arsimi publik, sistemet shëndetësore kombëtare dhe sindikatat e fuqishme. Rezultati ishte një përparim i rëndësishëm material për njerëzit punëtorë. Megjithatë, teksa standardet e jetesës u rritën, u refuzua ideali republikan i fuqisë ekonomike popullore. Qytetarët fituan siguri, por jo agjenci; strukturat që sillnin begatinë shpesh thellonin ndjenjën e tyre të pafuqisë.
Deri në vitet ’70 të shekullit XX, tensioni midis përmirësimit material dhe pafuqisë shoqërore ishte bërë i pamundur për t’u injoruar. Frustrimet e përmbajtura prej kohësh nga rritja, pëlcitën në hapësirën publike në mes të deindustrializimit dhe stagnimit. Lëvizjet për vetëmenaxhim të punëtorëve, bashkëvendosje dhe pronësi kooperative, ringjallën për pak kohë frymën republikane. Megjithatë, me partitë socialdemokrate jo të gatshme për të rikthyer radikalizmin e tyre themelues, e djathta politike përvetësoi gjuhën e autonomisë për vete duke e rindërtuar kërkesën për pushtet popullor si gjuhë të individualizmit popullor. Ishte ky transformim që hapi rrugën për neoliberalizmin dhe shpërbërjen e gjatë të arritjeve të socialdemokracisë.
Kufizimi i shqetësimeve republikane në sferën politike ka qenë gjithmonë një zgjedhje politike, e tillë që u imponua dhe u mirëmbajt nga elitat ekonomike. Rezultati është ndjenja e përhapur e pafuqisë që karakterizon politikën tonë aktuale dhe kthesën autoritare që ka prodhuar ajo.
Si pasojë, kjo mungesë e vetëqeverisjes ekonomike jo vetëm që ushqen pakënaqësinë; ajo gjithashtu mundëson konsolidimin e formave të reja të sundimit arbitrar. Nga ana publike, shtetet e sigurisë që zgjerojnë kompetencat dhe burokracitë e pakontrolluara ushtrojnë pushtet me pak kufizime demokratike. Nga ana private, hiqen mbrojtjet në vendin e punës, përhapet pasiguria e ekonomisë së punëve të përkohshme dhe platformat dixhitale manipulojnë miliona njerëz përmes algoritmeve të paqarta. Gjithnjë e më shumë, këto forma publike dhe private të dominimit nuk qëndrojnë më të ndara, por veprojnë në aleancë - një bashkim i imperiumit dhe dominiumit.
Nuk ka qenë kurrë më urgjent parimi që udhëhiqte republikanët ekonomikë të shekullit XIX - bindja se liria kërkon pushtet mbi kushtet e jetës. Republikat tona kushtetuese mund të mbijetojnë vetëm nëse plotësohen nga republikanizmi ekonomik. Ashtu siç na mëson tradita, vetëm pushteti ekonomik mund të sigurojë pushtetin politik.
Si mund të duket kjo në shekullin XXI? Këtu mund të përmendim vetëm disa veçori kryesore:
Vetëqeverisja ekonomike do të kërkonte:
- Ndërmarrje demokratike, ku punëtorët dhe komunitetet kanë të përbashkët pronësinë dhe marrjen e vendimeve.
- Financë publike dhe kooperative, duke e trajtuar kredinë si burim qytetar dhe jo si një monopol privat.
- Infrastruktura transparente dixhitale, të qeverisura si shërbime publike dhe të hapura për mbikëqyrje demokratike.
Asnjë nga këto nuk mund të arrihet me një hap të vetëm. Por, çdo reformë që na afron drejt kontrollit të përbashkët mbi strukturat themelore të jetës ekonomike, është një hap drejt lirisë.
Për të përmbysur oligarkinë dhe për të kundërshtuar autoritarizmin, duhet ndërtimi i një rendi të ri ekonomik demokratik. Republikanët ekonomikë të shekullit XIX mund të na udhëheqin, por detyra sot nuk është të ringjallim programin e tyre; është të hartojmë një republikanizëm ekonomik të përshtatshëm për epokën tonë. Në mënyrë kritike, duhet të hedhim poshtë ndarjen binare “shtet” dhe “treg” dhe të gjejmë kombinime të konkurrencës dhe koordinimit që funksionojnë për ne. Një projekt i tillë ofron një rrugë drejt pushtetit të vërtetë popullor dhe lirisë reale individuale. Ne duhet ta përfundojmë projektin republikan. /Telegrafi/


















































