“Rennes gjeti një budalla, futbolli është çmendur” – legjenda franceze shpërthen ndaj Liverpoolit pas transferimit të Jacquet

Ish-sulmuesi i Kombëtares së Francës, Christophe Dugarry, ka reaguar me tone të ashpra ndaj transferimit të qendërmbrojtësit 20-vjeçar Jeremy Jacquet nga Rennes te Liverpooli, duke e cilësuar marrëveshjen si një shembull të çmendurisë së tregut modern të futbollit.
Liverpooli ka paguar 60 milionë euro, ndërsa kontrata përfshin edhe 12 milionë euro të tjera në formë bonusesh, duke e çuar vlerën totale të transferimit në 72 milionë euro.
Në komentet e tij, Dugarry theksoi se kritikat e tij nuk kishin për qëllim lojtarin, por klubin anglez dhe politikat e tij të transferimeve.
“Nuk dua ta ofendoj djaloshin. Ai nuk ka faj për asgjë dhe i uroj gjithë të mirat, sepse është një futbollist i mirë. Por kur ke përballë njerëz kaq budalla… bravo Rennes”, u shpreh Dugarry.
We have reached an agreement for the transfer of Jeremy Jacquet from Stade Rennais, with the defender set to join the club ahead of the 2026-27 season, subject to a work permit and international clearance 🙌🔴
— Liverpool FC (@LFC) February 2, 2026
Ai shtoi se klubi francez ka përfituar maksimalisht nga situata në treg.
“Rennes arriti të gjejë një budalla si Liverpooli dhe ta shesë për 72 milionë euro”, deklaroi ish-futbollisti francez.
Sipas Dugarry-t, problemi shkon përtej një transferimi të vetëm dhe lidhet me mënyrën se si klubet angleze po dominojnë tregun me shpenzime të tepruara.
“Le të vazhdojnë këto klube angleze të shpenzojnë dhjetëra milionë euro. Futbolli është çmendur. Nuk ka asnjë justifikim për këto shifra”, përfundoi ai.















































