Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, ortopedi Cen Bytyqi ka theksuar rolin thelbësor të vitaminës D në trupin e njeriut dhe rëndësinë e saj në mirëmbajtjen e shëndetit të kockave.

Sipas Bytyqit, vitamina D nuk është vetëm përgjegjëse për ndërtimin dhe metabolizmin e kockave, por luan një rol shumë më të gjerë në shëndetin e organizmit.


Ai shpjegoi se mungesa e kësaj vitamine mund të shkaktojë probleme serioze, siç është rakiti, një sëmundje që ndodh kryesisht gjatë periudhës së rritjes, ku organizmi nuk zhvillohet siç duhet dhe shkakton deformime të këmbëve, si këmbë në formë “X” ose “O”.

“Në moshën e shtyrë, mungesa e vitaminës D është një faktor kryesor në zhvillimin e osteoporozës”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se mënyra më efikase për të luftuar osteoporozën është aktiviteti fizik, veçanërisht aktiviteti në natyrë ku ka diell.

“Mjeti më i mirë për luftën kundër osteoporozës është aktiviteti, aktiviteti në natyrë, ku ka diell në mënyrë që të rregullohet metabolizmi i vitaminës D”, u shpreh ortopedi Bytyqi.

Gjithashtu, ortopedi theksoi rëndësinë e ushqimit në marrjen e vitaminës D.

Bytyqi përmendi se vitamina D gjendet në disa ushqime, përfshirë mishin e kuq, por theksoi se ekspozimi në diell është i domosdoshëm për aktivizimin e formës joaktive të vitaminës D që prodhohet natyrshëm në lëkurë. /Telegrafi/