Reja para duelit me Islandën: Duhet të qëndrojmë të bashkuar për tu rritur, mund të ketë ndryshime

Shqipëria do të zbresë sërish në fushë ditën e martë (nesër) për të zhvilluar sfidën e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës.
Kuqezinjtë rikthehen të luajnë ndaj ishullorëve në shtëpinë e tyre në ‘Air Albania’, në prani të mijëra tifozëve shqiptarë.
Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, tekniku Italian rikomentoi edhe njëherë humbjen e Kombëtares ndaj Izraelit, ndërsa më tej u ndal edhe te ndeshja e fundit ndaj Islandës në Ligën e Kombeve, ku kërkon nga lojtarët që të jenë të qetë e të sillen mirë në fushën e lojës.
Kundër Islandës, ndryshim në formacion dhe te lojtarët? – Sigurisht që mund të ketë ndryshime në ndeshjen ndaj Islandës. Janë dy ndeshje brenda tre ditësh dh është normale që unë të shoh të gjithë grupin në dispozicion dhe të bëj vlerësimet e mia. Edhe lodhja dhe ngarkesa e madhe fizike ndikon. Fola me mjekun dhe besoj se deri nesër do të kem një gjendje më të qartë të gjithë lojtarëve dhe shpresoj që t’i kem të gjithë në dispozicion. Janë të lodhur, rreth 5-6 lojtarë nuk kanë pasur shumë minuta me klubet dhe në ndeshje të tilla që kanë kaq shumë presion, e ndjejnë pak më shumë. Duhet të bëj vlerësimet e mia nëse do të jenë të gjithë në formë, ose jo, do të shohim. Më pas do të marr vendimet e mia, por sigurisht që mund të ketë ndonjë ndryshim edhe në skemë, por edhe në emra lojtarësh. Ajeti nuk është stërvitur rregullisht me skuadrën pasi ka pasur pak temperaturë dhe do na duhet të presim deri nesër për të marrë një vendim.
E ardhmja e trajnerit Reja – Në këto momente mendoj vetëm për Islandën, për ndeshjen e nesërme. Për të ardhmen nuk i dihet kurrë, zoti e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Si do të zbresë nesër skuadra në fushë lidhur me aspektin psikologjik pas humbjes me Izraelin që është kritikuar shumë – Ndaj Islandës ne duhet të jemi sa më në formë, edhe në aspektin karakterial të tregojmë se sa vlejmë. Për mua kritikat nuk është se më shqetësojnë shumë. Lojtarët mund t’i ndjejnë më shumë, por për mua është normale. Lojtarët duhet të reagojnë mirë dhe duhet të jenë pak më të karikuar e të kenë agresivitetin e duhur në fushë. Islandën e njohim, unë e kam nisur ndaj Islandës. Është një skuadër që mund ta mposhtim, vetëm se duhet të sillemi mirë në fushën e lojës dhe të shmangim gabimet e shumëpërfolura dhe të jemi shumë më të qetë në fushë. Të mendojmë për ndeshjen dhe asgjë tjetër. /Telegrafi/













































