Real Madridi e ka bërë të qartë se Aurelien Tchouameni nuk është në shitje. Vetëm pak javë para fillimit të La Ligas, me ndeshjen hapëse ndaj Osasunës të planifikuar më 19 gusht në 'Santiago Bernabeu’, drejtuesit sportivë të klubit kanë siguruar një nga lojtarët më të rëndësishëm për projektin e ri të Xabi Alonsos. 

Në ditët e fundit, një ndërmjetës me lidhje në Ligën Premier i ka përcjellë klubit një ofertë rreth 75 milionë euro për mesfushorin francez. 


Një shumë e lartë, e cila megjithatë nuk i bëri aspak të lëkunden drejtuesit e Real Madridit. Sipas Defensa Central, përgjigjja ishte e qartë: nuk na intereson, pavarësisht shumës së ofruar. 

Gjithçka tregon se pas kësaj oferte qëndronte Arsenali, trajneri i të cilit, Mikel Arteta, e ka ndjekur ish-lojtarin e Monacos prej kohësh.

Tchouameni është shndërruar në një pjesë kyçe në skemën e trajnerit nga Tolosa, dhe paraqitja e tij në Kupën e Botës për Klube vetëm sa e ka forcuar vlerësimin për të brenda skuadrës. 

Në Valdebebas janë të bindur se ai do të jetë një lojtar vendimtar për ciklin e ri që nis këtë sezon. 

Tchouameni

Për më tepër, edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar për shumë vite të tjera në Spanjë, raporton Fichajes. 

Në një intervistë të fundit, ai u shpreh qartë se ëndrra e tij është të mbetet te Real Madridi deri në fund të karrierës. 

Ambicia e tij është të vazhdojë të konkurrojë në nivelin më të lartë, në klubin që ai e konsideron më kërkuesin dhe më prestigjiozin në botë./Telegrafi/

telegrafi sport app