Reagon Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet: Informimi nuk është për panik, por për siguri të qytetarëve

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka bërë të ditur se të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet që publikon për qytetarët bazohen vetëm në informacione zyrtare dhe të verifikuara.
Në një njoftim, Drejtoria thekson: “Të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet tona bazohen ekskluzivisht në informata zyrtare, të siguruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe institucione të tjera kompetente. Qëllimi i këtyre komunikimeve nuk është krijimi i panikut, por informimi në kohë, i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve”.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se komunikimi i hershëm dhe korrekt u mundëson qytetarëve të marrin masa parandaluese dhe të jenë më të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore ose atyre të shkaktuara nga dora e njeriut.
Sipas Drejtorisë, kjo kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike.
Në njoftim thuhet gjithashtu: “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e përkushtuar që çdo njoftim të jetë i bazuar në burime zyrtare, i qartë dhe i përgjegjshëm, dhe në funksion të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve të Kryeqytetit”.
Drejtoria ka bërë thirrje që qytetarët të ndjekin vetëm kanalet zyrtare të komunikimit për informacion të saktë dhe në kohë reale. /Telegrafi/



















































