Drejtori i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, Naim Rashiti, në një intervistë për emisionin“Përballje ditore” në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth mbajtjes së Samitit të Berlinit, dialogut Kosovë-Serbi, taksës 100 për qind si dhe për takimin e Parisit që do të mbahet pas tre muajsh.
Rashiti vlerësoi se takimi në Berlin ishte i nivelit më të lartë.
“Në aspekt të nivelit formal nuk ka nivel më të lartë, aty ka munguar vetëm presidenti i Komisionit Evropian, por atë e ka përfaqësuar Federica Mogherini. Por, nëse e zgjerojmë në nivel ndërkombëtarë aty ka munguar edhe sekretari i SHBA-së, Mike Pompeo. Nëse në një moment duhet të ndodhë marrëveshja Kosovë-Serbi, atëherë duhet të jetë kjo duke shtuar praninë e SHBA-së”.
“Duhet të presim edhe pak se si do të rrjedhin gjërat. Takimi i Berlinit është mbajtur në prag zgjedhjeve të brendshme të BE-së, është mbajtur në një situatë kur Franca është kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë, kur është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe kur ende nuk ka vendim për Maqedoninë”, ka thënë Rashiti gjatë intervistës.
Rashiti theksoi se lidershipi në Kosovë ashtu edhe në Serbi nuk e kanë guximin e duhur që të arrijnë një marrëveshje.
“Gjermani, Franca ka kërkuar të vazhdohet me dialog sepse Serbia edhe Kosova nuk janë të gatshme për marrëveshje, dhe kjo po bëhet për të kamufluar këtë. Nuk ka guxim për marrëveshje finale, dhe kështu fshihen njëri pas tjetrit, kur nuk kemi proces të mirëfilltë të dialogut”, ka thënë Naim Rashiti.
Mes tjerash, ai tha se Bashkimi Evropian edhe mund t’i ketë fajet e veta, mirëpo Kosova dhe Serbia janë ato të cilat nuk kanë guxim që të nënshkruajnë një marrëveshje. Rashiti ka folur edhe për qëndrimet e ndryshme që kanë liderët e Kosovës sa i përket taksës dhe vazhdimit të dialogut. /Telegrafi/