Një hetim i Iniciativës së Medias së Lirë në Ballkan (BFMI), një organizatë joqeveritare me seli në Bruksel, ka zbuluar prova të manipulimit të përhapur algoritmik në TikTok gjatë periudhës zgjedhore të shkurtit 2025 në Kosovë.

Sipas raportit, manipulimet përfshinin metoda të koordinuara të ngjashme me ato të vëzhguara më parë në Rumani dhe Bullgari.


Raporti tregon se taktikat e përdorura kanë qenë postime masive, komente të sinkronizuara, amplifikim përmes hashtagjeve dhe llogarive jo origjinale.

Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit është përqendruar rreth Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Kryeministrit Albin Kurti.

BFMI thekson se TikTok ka pasur një rol kyç në formësimin e narrativave politike gjatë zgjedhjeve parlamentare, duke qenë platforma më e përdorur në vend, pavarësisht ndalimit të saj në institucionet shtetërore për arsye të sigurisë kibernetike.

Platforma është e ndaluar në institucionet publike që nga 28 qershori 2024, por politikanët dhe partitë vazhdojnë të jenë aktivë përmes llogarive personale dhe zyrtare.

Sipas raportit, përmbajtja e publikuar nga partitë amplifikohet më pas nga profile jo origjinale, ndikues apo të ashtuquajturat “llogari tematike”, të cilat krijohen posaçërisht për të shtuar shtrirjen algoritmike.

Disa nga llogaritë që promovojnë Kryeministrin Kurti, sipas BFMI-së, mbeten të paqarta nëse menaxhohen nga mbështetës të vërtetë apo janë të automatizuara.

Metoda më e theksuar e manipulimit e identifikuar është taktika “Fire Tube”, ku një numër shumë i madh videosh publikohet në një periudhë të shkurtër nga një ose disa profile.

Një shembull i tillë është llogaria @hamzahatika46, e cila gjatë fushatës publikoi mbi 18 video duke mbledhur më shumë se 13 milionë ndërveprime.

BFMI vëren gjithashtu manipulim të gjerë të hashtagjeve, ku etiketa politike si #lvv dhe #ldk janë kombinuar me #fyp, #viral dhe #kosova për të paraqitur përmbajtjen politike si virale. Në raste të tjera, hashtagjet e partive rivale janë përdorur për përhapjen e përmbajtjeve kritike ose dezinformuese.

Sipas hulumtimit, manipulimi algoritmik përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, duke cenuar integritetin e informacionit, duke rritur përçarjet etnike dhe duke zvogëluar besimin në institucionet demokratike.

BFMI paralajmëron se dobësimi i mediave dhe kufizimet në lirinë e shprehjes e bëjnë publikun edhe më të cenueshëm ndaj propagandës dhe ndikimeve të aktorëve të huaj.

Në përfundim, raporti thekson se platformat sociale, përfshirë TikTok-un, po shndërrohen në instrumente të destabilizimit strategjik, duke krijuar rreziqe që mund të prekin jo vetëm Kosovën, por edhe sigurinë e më gjerë evropiane.

Raporti i plotë në anglisht KËTU.