Prishtina ka pasur epërsinë e një goli në derbi ndaj Gjilanit, por edhe epërsinë e një futbollisti më shumë në fushë dhe nuk ka arritur të marrë fitore.

Kryeqytetasit kanë lëshuar fitoren nga dora, pasi në fund ndeshja u mbyll pa fitues 1-1.


Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka mbetur i zhgënjyer me barazimin, duke thënë se janë dy pikë të humbura dhe nuk arsyetohet ky rezultat.

Zekirija Ramadani 5

“Dy pikë të humbura, ishim në avantazh, kishim një futbollist më tepër, nuk arsyetohet ky rezultat, ky barazim është i barabartë me humbje, duke i pasur parasysh rrethanat. Kishim epërsi numerike dhe u ndëshkuam”, tha fillimisht Zekrija Ramadani për Art Sport.

Tutje trajneri shkupjan i Prishtinës ka thënë se ndoshta nuk ka arritur ta motivoj sa duhet ekipin, por në fund deklaroi se diferenca në tabelë nuk është e madhe.

“Nuk arritëm të shfrytëzojmë aspak epërsinë numerike, ndoshta nuk e kam motivuar ekipin sa duhet, kartoni i kuq (i Gjilanit) na bëri më shume dëm, se mirë, duhet të luajmë me përgjegjësi, nuk jemi aty ku duhet te jemi”, vazhdoi ai.

Zekirija Ramadani 4

“Diferenca nuk është e madhe me vendin e parë, por qasja në fushë po na brengos, jo barazimi”, përfundoi Ramadani.

Gjilani me këtë pikë të fituar ngritët në vendin e dytë me 22 pikë, derisa Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 17 pikë.

Ndeshjen e radhës Gjilani do ta luaj në udhëtim te Ulpiana, ndërsa Prishtina para tifozëve të vet pret Dukagjinin e Klinës. /Telegrafi/

telegrafi sport app