Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se kryeqyteti ka kaluar nga “një mendësi depresive” në një frymë optimiste që beson në transformim.

Në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Rama tha se para katër vitesh Prishtina ishte “në gjumë”, por tash është duke përjetuar ndryshime të prekshme.


“Prej mendësisë depresive, në mendësi që beson se transformimi ndodh – po ndodh. Prishtina ka filluar të transformohet me atë vizion para katër vitesh. Unë kam thënë që Prishtinës i duhen 8 vite, më duhen 8 vite, dhe kam prezantuar vizionin tim për transformimin e kryeqytetit”, u shpreh ai.

Kryetari i kryeqytetit theksoi se projektet e nisura janë në faza të ndryshme realizimi: disa tashmë kanë përfunduar, disa janë afër përfundimit, ndërsa disa të tjera pritet të nisin brenda kornizës së planit 8-vjeçar.

Sipas Ramës, transformimi i Prishtinës është një proces i pandalshëm, i cili kërkon kohë dhe përkushtim për të dhënë rezultatet e plota.