Në përpjekje për t’i freskuar gjatë ditëve të nxehta, shumë pronarë, shpesh pa dashje, rrezikojnë jetën e kafshëve të tyre shtëpiake duke i shtyrë drejt ujit, edhe kur qentë tregojnë qartë se nuk duan

Rreth kafshëve shtëpiake ekziston një mendim i rrënjosur: macet nuk e duan ujin, ndërsa qentë, përkundrazi, jo vetëm që e duan, por janë edhe notarë të shkëlqyer. Megjithatë, realiteti është ndryshe - ka shumë raca macesh që notojnë pa problem dhe qentë që, për shkak të veçorive trupore, nuk janë të përshtatshëm për notim.


A dinë të gjithë qentë të notojnë?

Dihet që paraardhësi i egër i të gjithë qenve është ujku, një kafshë e fortë dhe e qëndrueshme, e aftë të mbijetojë në kushte ekstreme në natyrë. Ujku është gjahtar i shkëlqyer, notues, vrapues e zhytës. Logjikisht, do të pritej që edhe pasardhësit e tij të zbutur – qentë, të trashëgonin këto aftësi. Por kjo nuk ndodh gjithmonë.

Disa raca thjesht nuk e pëlqejnë ujin, madje as të futen në të. Kjo lidhet shpesh me klimën, nëse jetoni në zona të ftohta, qeni mund të mos ndihet rehat të futet në ujë, pavarësisht se i hidheni lodrat e preferuara për ta joshur.

Përveç temperamentit, janë edhe tiparet fizike ato që i bëjnë disa qentë jo të përshtatshëm për notim. Për këto raca, qëndrimi në ujë nuk është freskim, por një përpjekje e lodhshme që mund të kthehet në luftë për mbijetesë. Për këtë arsye, mos e detyroni kurrë një qen të notojë nëse nuk është ndërtuar për këtë dhe nuk ndihet rehat, transmeton Telegrafi.

Tiparet trupore që e pengojnë një qen të notojë

Karakteristikat më të zakonshme trupore që e vështirësojnë notimin janë:

▪ Kraharor shumë i gjerë dhe i rëndë
▪ Këmbë të shkurtra
▪ Hunda e shkurtër

Nëse qeni juaj ka qoftë edhe njërën prej këtyre tipareve, më mirë mos e detyroni të hyjë në ujë. Kontakti i zgjatur me ujin mund të jetë i rrezikshëm për të. Nëse dëshironi që të jetë pranë jush në det ose liqen, më mirë pajiseni me jelek shpëtimi special për qen. Ky do t’i ndihmojë të qëndrojnë mbi ujë në rast se rrëshqasin apo bien brenda. Gjithashtu, mos e humbni kurrë nga sytë, sepse për qentë që nuk janë notarë natyralë, uji është mjedis me rrezik.

Racat e njohura që nuk janë të krijuara për not

Këto raca nuk është se nuk dinë të notojnë fare, shumica nuk i frikësohen ujit dhe mund të notojnë nëse detyrohen. Por pa kujdes dhe mbikëqyrje, mund të lodhen shpejt, të humbin fuqinë dhe të fundosën. Ja disa nga racat më të njohura:

🐾 Baset

Ka kokë të madhe, kraharor masiv dhe trup të rëndë, me peshë të shpërndarë jo njëtrajtshëm. Në tokë mbështetet te këmbët e tij të shkurtra dhe të fuqishme, por në ujë ato nuk i ndihmojnë shumë. Veshët e gjatë mund të thithin ujë dhe të shkaktojnë infeksione. Baseti lodhet shpejt dhe është shumë më i lumtur duke parë ujin nga bregu.

🐾 Buldog

Ka kraharor të gjerë, hundë të shkurtër dhe këmbë të shkurtra. I duhen shumë përpjekje vetëm për të qëndruar mbi sipërfaqe. Hunda e shkurtër e bën frymëmarrjen të vështirë ndërsa noton, prandaj lodhet shpejt dhe mund të mbytet në valë.

🐾 Korgi

Edhe pse shpesh e do ujin dhe luan në breg, korgi nuk është ndërtuar për not. Ka trup të gjatë, kokë të madhe dhe këmbë shumë të shkurtra. Këto e lodhin shpejt dhe nuk e ndihmojnë të prekë fundin, përveçse shumë pranë bregut. Prandaj, korgin nuk duhet lënë asnjëherë në ujë pa mbikëqyrje.

🐾 Bull Terrier

Një qen energjik dhe i fuqishëm, por jo notar natyral. Trupi i rëndë, muskulor, koka e madhe dhe kraharori i thellë i vështirësojnë lundrimin dhe qëndrimin në sipërfaqe për gjatë.

🐾 Shi-cu

Raca më pak e përshtatshme për not. Ka pothuajse të gjitha karakteristikat që e bëjnë notimin të vështirë: kokë të madhe, hundë të shkurtër, kraharor masiv, këmbë të shkurtra dhe qime të gjata. Edhe valët më të lehta mund të jenë të rrezikshme. Uji mund të hyjë lehtësisht në hundë dhe grykë, duke shkaktuar mbytje. Përveç kësaj, trupat e vegjël humbasin shpejt nxehtësinë dhe mund të ftohen edhe në ujë që për njerëzit është i këndshëm.

🐾 Mops

Këta qen të ëmbël mezi e mbajnë hundën mbi ujë. Frymëmarrja është e vështirësuar kur lodhen dhe përpiqen të rrinë mbi sipërfaqe, ndaj mund të mbyten lehtësisht. Për të marrë frymë, duhet të ngritin kokën shumë lart, duke fundosur trupin edhe më tepër.

Përfundim

Mos e detyroni kurrë një qen që nuk është notar natyral të hyjë në ujë. Për disa, noti është relaks dhe kënaqësi, për disa të tjerë - luftë për mbijetesë. Tregoni kujdes, zgjidhni mjetet e duhura të sigurisë dhe mos e humbni asnjëherë nga sytë! /Telegrafi/