Përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale në prodhimin e përmbajtjeve mediatike po krijon sfida të reja për rregullatorët, mediat dhe publikun, veçanërisht në kontekstin e dezinformimit dhe proceseve zgjedhore.


“Përballje Podcast”, Niman Racaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Komisioni i Pavarur i Mediave, ka theksuar se inteligjenca artificiale po e transformon rrënjësisht mënyrën e krijimit të përmbajtjes, por nuk e ndryshon parimin themelor të përgjegjësisë editoriale.

“Çdo përmbajtje e cila është prodhuar me inteligjencë artificiale duhet të jetë transparente dhe të tregohet qartë që është e tillë, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion tek publiku”, ka deklaruar Racaj shkrun Telegrafi.

Sipas tij, pavarësisht mungesës së një akti të veçantë ligjor për inteligjencën artificiale, përgjegjësia ligjore nuk zhduket.

“Inteligjenca artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë. Editori duhet të jetë përgjegjës, përgjegjësia bie mbi atë që e publikon përmbajtjen”, ka theksuar ai.

Racaj ka vlerësuar se përfitimet e inteligjencës artificiale janë të mëdha, por rreziku i keqpërdorimit të saj për dezinformim është po aq serioz.

“Shpërndarja e një përmbajtjeje të rreme sot është shumë më e lehtë dhe arrin shumë më shpejt te publiku”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo e bën të domosdoshme vendosjen e standardeve të qarta për mediat.

Sipas tij, rregullimi nuk duhet parë si kufizim i lirisë së medias, por si mbrojtje e interesit publik.

“Vetë ekzistenca jonë si rregullator është mbrojtja e interesit publik, dhe interesi publik mbrohet duke përcaktuar standarde dhe kritere të qarta”, ka deklaruar Racaj.

Çfarë tutje? Përmbajtja dhe edukimi medial

Duke folur për hapat e ardhshëm, Racaj ka theksuar se rregullimi i inteligjencës artificiale në media nuk mund të ndodhë i shkëputur nga rregullimi i mediave online në përgjithësi.

“Nëse nuk e kemi të rregulluar çështjen e mediave online, do të jetë shumë problematike të kalojmë në stadin tjetër të rregullimit që është inteligjenca artificiale”, ka vlerësuar ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai ka shtuar se përmbajtja duhet të jetë në fokus të rregullimit, e jo teknologjia përmes së cilës shpërndahet ajo.

“Përmbajtja duhet të jetë objektivi kryesor i rregullatorëve, jo mënyra se si ai bartet te qytetarët”, ka deklaruar Racaj.

Në këtë proces, ai ka theksuar edhe rolin kyç të edukimit medial.

“Edukimi medial është bërë shumë më i nevojshëm, sidomos me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe platformave të reja”, ka thënë Racaj, duke shtuar se kjo kërkon përfshirje institucionale dhe strategji kombëtare./Telegrafi./