Qytetarët të cilët kanë ankesa për procesin e votimit, mund t'i drejtohen KKZ-së dhe KSHZ-së

Maqedonia e Veriut sot po zhvillon rethin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku qytetarët votojnë për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa në Shuto Orizare po mbahet rivotim për këshilltarë në tre vendvotime.
Në këtë raund kanë të drejtë vote 1.013.375 qytetarë, prej tyre 474.304 në Qytetin e Shkupit.
Një ditë më parë, sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të drejtën e votës e ushtruan 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak në komunat ku zgjidhen kryetarë.
Të drejtë vote ka çdo person që është i regjistruar në listën zgjedhore dhe posedon letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme. Votimi bëhet vetëm personalisht.
Sipas Kodit Zgjedhor, çdo parti, koalicion apo kandidat mund të paraqesë ankesë në KSHZ për parregullsi në procesin e votimit, numërimit apo shpalljes së rezultateve brenda 48 orëve nga përfundimi i votimit.
KSHZ është e detyruar të shqyrtojë të gjitha faktet dhe të vendosë brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës.
Nëse pala nuk është e kënaqur me vendimin e KSHZ-së, mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve, e cila duhet të marrë vendim brenda 48 orëve.
Çdo qytetar që beson se i është shkelur e drejta e votës mund të: paraqesë ankesë në Komisionin Komunal Zgjedhor brenda 12 orëve, ose në rastet e votimit jashtë vendit, t’i drejtohet KSHZ-së përmes emailit ose personalisht brenda 24 orëve.
Organi i shkallës së parë duhet të vendosë brenda 2 orëve nga pranimi i ankesës.Kundër këtij vendimi, qytetari mund të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative brenda 12 orëve, e cila vendos brenda 2 orëve nga pranimi i padisë.
Në çdo fazë të procesit zgjedhor, çdo votues që konsideron se i është cenuar e drejta e tij, mund të paraqesë ankesë në KSHZ brenda 48 orëve, ndërsa kjo e fundit duhet të marrë vendim brenda 4 orëve.
Kujtojmë se votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00 në gjithsej 1.771 vendvotime në të gjithë vendin.


















































