LAJMI I FUNDIT:

Putini, Xi dhe kufijtë e miqësisë

Putini, Xi dhe kufijtë e miqësisë
Ilustrimi: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Më 4 shkurt të këtij viti – tri javë para pushtimit rus të Ukrainës – Vladimir Putini u takua me Xi Jinpingun në Pekin. Një deklaratë e përbashkët e të dy liderëve njoftoi se miqësia midis Rusisë dhe Kinës “nuk ka kufij”.

Shtatë muaj më vonë, Xi mund të jetë penduar për këto fjalë. Duke folur para një takimi të Këshillit të Bashkëpunimit të Shangait, në Uzbekistan, Putini premtoi t’i adresojë “çështjet dhe shqetësimet” që Kina ka në lidhje me luftën në Ukrainë.


Në publik, as Putini dhe as Xi nuk zgjodhën t’i shtjellojnë këto shqetësime. Por, kjo nuk është e vështirë të merret me mend. Lufta e ka dobësuar Rusinë, e ka destabilizuar Euroazinë dhe e ka forcuar aleancën perëndimore. Nëse shikohet nga ana Pekinit, asnjë nga këto nuk duket mirë,.

Deklarata e 4 shkurtit bëri të qartë se themeli i miqësisë ruso-kineze është armiqësia e përbashkët ndaj lidershipit global amerikan. Një fitore e shpejtë ruse në Ukrainë – e ardhur vetëm pak muaj pas tërheqjes kaotike të Amerikës nga Afganistani – do të kishte qenë tjetër goditje serioze për prestigjin dhe fuqinë e ShBA-së. Kjo do t’i shkonte mirë Pekinit; dhe, madje do ta kishte krijuar terrenin për një sulm kinez në Tajvan.

Në anë tjetër, një konflikt i zgjatur në Ukrainë – dhe perspektiva e humbjes së Rusisë – është pengesë serioze strategjike për Kinën. Siç thotë Nigel Gould-Davies, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike: “Ka plot arsye që Kina të jetë shumë e pakënaqur”.

Më e dukshmja është se Rusia është partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i Kinës. Të dy vendet nuk janë aleatë zyrtarë të traktatit. Por, mbështesin njëri-tjetrin në forume ndërkombëtare dhe organizojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake. Vizita e parë e huaj që Xi bëri pasi u bë president, ishte në Moskë. Xi i është referuar Putinit si “miku më i mirë”. Por, tani miku i tij duket si humbës. Dhe, miqësia e Kinës me Rusinë duket e turpshme, jo si pasuri.

Përveç dobësimit të partnerit më të rëndësishëm ndërkombëtar të Kinës, lufta në Ukrainë ka nxitur ringjalljen e aleancës perëndimore. Udhëheqja amerikane duket edhe një herë e sigurt dhe efektive. Armët amerikane kanë ndihmuar në ndryshimin e rrjedhës së konfliktit. Vendet e reja po rreshtohen për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s. Mediat shtetërore kineze duan ta theksojnë rënien e paepur të Perëndimit. Por, befas, aleanca perëndimore duket mjaft e gjallë.

Pekinin të paktën mund ta ngushëllonte fakti se “jugu global” dukej neutral – dhe ndonjëherë edhe në një heshtje pro-ruse në këtë konflikt. Kjo ka rëndësi, sepse lufta për besnikërinë e vendeve në Afrikë, në Azi dhe në Amerikë, është pjesë e rëndësishme e rivalitetit të Kinës me ShBA-në.

Por, po ndryshojnë ndjenjat në jugun global. Në samitin e Samarkandit, Narendra Modi, kryeministri indian, e qortoi publikisht Putinin, duke thënë se “epoka e sotme nuk është e luftës”. Udhëheqësi rus u reduktua në premtimin se: “Do të bëjmë çmos për ta ndaluar këtë, sa më shpejt të jetë e mundur”. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, javën e kaluar, India iu bashkua 100 vendeve tjera në votimin që lejon Volodymyr Zelenskyyn, presidentin e Ukrainës, ta bënte një adresim virtual. Vetëm gjashtë vende iu bashkuan Rusisë në kundërshtimin e fjalimit. Kina abstenoi.

Brenda dhe jashtë vendit, Xi pëlqen të theksojë dëshirën e tij për stabilitet. Por, lufta ka nxitur paqëndrueshmëri në gjithë Euroazinë. Azerbajxhani sapo ka sulmuar Armeninë, e cila është aleate e Rusisë. Luftimet kanë shpërthyer edhe mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit.

Një Rusi seriozisht e dobësuar dhe e turpëruar, tashmë është partner shumë më pak i dobishëm për Kinën. Dhe, rezultatet e luftës janë ende duke u shpalosur. Makthi i fundit për Pekinin do të jetë nëse Putini do të rrëzohej dhe do të zëvendësohej nga një qeveri properëndimore – gjë që ka pak gjasa, por jo e pamundur.

Sigurisht, Rusia e dobësuar sjell edhe disa përfitime për Kinën. Moska tani është gjithnjë e më e varur ekonomikisht nga Pekini. Putini së fundmi ia bëri një referencë të zymtë pazarit të vështirë që Kina synon në negociatat tregtare.

Disa analistë të Uashingtonit shkojnë edhe më tej, duke argumentuar se lufta në Ukrainë do ta shtyjë Moskën përgjithmonë nën krahët e Pekinit, ndërkohë që do të shpërqendrojë ShBA-në nga fokusimi i vetëm në përballje me Kinën.

Kjo shkollë mendimi argumenton se një pikë kthese vendimtare në Luftën e Ftohtë ishte hapja e Nixon-Kissinger në Kinë, në vitin 1971. Tani, ata kanë frikë se po ndodh e kundërta – dhe boshti Kinë-Rusi po forcohet.

Por, ky argument i trajton fuqitë e mëdha si pjesë pa vlera në një tabelë strategjike shahu.

Realiteti është se Rusia dhe Kina kanë krijuar aleancë joformale, sepse pikëpamjet e tyre botërore kanë shumë të përbashkëta. Është e pabesueshme që njëri prej tyre do të zhvishej dhe do të vendoste të rreshtohej me Amerikën. Amerika është problemi që ata përpiqen ta zgjidhin.

Boshti ruso-kinez i paraqitur më 4 shkurt, në një masë të konsiderueshme ishte gjithashtu marrëveshje personale mes dy liderëve të fortë. Putini dhe Xi e pëlqyen qartë stilin e njëri-tjetrit dhe e panë veten si mishërime të kombeve të tyre përkatëse. Ata ishin, sipas fjalëve të Alexander Gabuevit të Qendrës “Carnegie” në Moskës, “cari dhe perandori”.

Por, me Putinin që tani duket më shumë si Nikolla II sesa Pjetri i Madh, Xi duhet të pendohet që përqafoi me gjithë zemër homologun e tij rus. /Telegrafi/