Putini udhëheqësi i parë rus që viziton Alaskën, e cila në vitin 1867 iu shit SHBA-së

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të bëhet udhëheqësi i parë rus që do të vizitojë Alaskën, gadishullin që SHBA-ja e bleu nga Perandoria Ruse në vitin 1867.
Putin, i cili planifikon të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump më 15 gusht për të diskutuar mbi çështjen e Ukrainës dhe marrëdhëniet dypalëshe, do të bëjë udhëtimin e tij të parë në SHBA pas shumë vitesh.
Edhe pse Nikita Hrushov, Leonid Brezhnjev, Mikhail Gorbachev, Boris Jelcin dhe Dmitry Medvedev kanë vizituar SHBA-në në të kaluarën, Putini do të bëjë histori si udhëheqësi i parë rus që viziton Alaskën.
E zbuluar në vitin 1732 nga dy eksplorues, Mikhail Gvozdev dhe Ivan Fedorov, Alaska filloi të shfrytëzohej nga tregtarët në vitet e mëvonshme.
Fillimisht territor rus, rajoni siguronte të ardhura për shtetin rus përmes tregtisë së gëzofit.
Në vitin 1799, në rajon u themelua kompania Ruso-Amerikane.
Gjatë Luftës së Krimesë, kostot e menaxhimit dhe mbrojtjes së një rajoni kaq të largët dhe gjeopolitikisht të ndjeshëm rezultuan se i tejkalonin fitimet e mundshme.
Ideja e shitjes së Alaskës u propozua për herë të parë në vitin 1857 nga Knez Konstantin Nikolayevich, vëllai i Car Aleksandrit II të Rusisë.
Më vonë, me miratimin e tij, Alaska iu shit SHBA-së më 30 mars 1867.
Në atë kohë, SHBA-ja u pagoi rusëve 7.2 milionë dollarë për afërsisht 1.518.800 kilometra katrorë.
Kjo shumë vlerësohet të jetë më shumë se 150 milionë dollarë në vlerën e sotme.
SHBA-ja e bleu Alaskën sepse e konsideruan atë si potencial strategjik ashtu edhe ekonomik.
Sekretari i atëhershëm i Shtetit i SHBA-së, William H. Seward, u kritikua nga shumë amerikanë për nxitjen e blerjes së një territori të largët dhe në dukje të padobishëm, i përbërë vetëm nga akulli dhe kjo u quajt "Marrëzia e Seward (Seawrd's Folly)".
Vite më vonë, kur u bë e qartë se Alaska zotëronte ar, naftë, gaz natyror, peshkim dhe vlerë strategjike, këto kritika u komentuan si "blerja më fitimprurëse e tokës nga SHBA-ja". /AA/










































