LAJMI I FUNDIT:

Putini dëshiron luftë në Ballkan

Putini dëshiron luftë në Ballkan
Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin gjatë takimit të tyre në Pekin, në tetor të vitit 2023

Nga: Ivana Stradner dhe Mark Montgomery / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Në kohën kur gjithë sytë janë drejtuar kah Ukraina, një tjetër konflikt po shpërthen në Evropë. Tri dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, përplasjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës kanë rindezur konfliktet e vazhdueshme etnike. Teksa Serbia nxit ngjarjet në terren, Moska po i ndez flakët.

Vladimir Putini ka qenë i sinqertë në lidhje me dëshirën e tij për të dobësuar Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe për ta rikthyer Rusinë në kufijtë e saj historikë. Por, me forcat ruse që pësojnë humbje në Ukrainë, Moska ka shumëçka për të fituar duke nxitur problemet diku tjetër në kontinent. Kriza e duhur rajonale do t’ia jepte Kremlinit mundësinë për të pasur ndikim lokal përmes tregtisë së armëve dhe ndërmjetësimit, duke e larguar kështu vëmendjen nga Ukraina dhe duke ia ofruar Rusisë ndikimin mbi udhëheqësit perëndimorë.


Ballkani Perëndimor është kandidat i përsosur. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk janë anëtare të NATO-s. Ashtu sikurse Moska që kërkon të dominojë atë që ajo e quan “bota ruse”, Serbia ka kohë që bën thirrje për të bashkuar “botën serbe”. Në vitin 1998, ky koncept e nxiti Serbinë të invadonte në Kosovë – konflikt që përfundoi vetëm me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në mars 1999, për t’ia dhënë fund shkeljeve serbe të të drejtave të njeriut kundër popullsisë etnike shqiptare.

Megjithëse mijëra ushtarë të NATO-s mbeten ende në Kosovë si paqeruajtës, tensionet janë të larta. Në vitin 2008, Kosova në mënyrë të njëanshme shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe ka marrë njohje nga shumë vende perëndimore, përfshirë ShBA-në, por Serbia ende nuk e njeh sovranitetin e saj. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po e forcon kontrollin e tij mbi pushtetin në vend dhe gjatë vitit të kaluar, me mbështetjen ruse, ka bërë presion mbi Kosovën.

Në maj Serbia vendosi trupat e veta në gatishmëri luftarake, pas përleshjes midis rebelëve etnikë serbë dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë ku u plagosën 90 ushtarë të NATO-s. Ishte ky një veprim kremlinesk, duke i përdorur tensionet etnike si pretekst për lëvizjet ushtarake. Në shtator, z. Vuçiq e huazoi një faqe tjetër nga libri i Putinit. Tridhjetë serbë etnikë, të armatosur rëndë e për të cilët Kosova pretendon se ishin pajisur nga Serbia dhe të lidhur me z. Vuçiq, sulmuan një patrullë policie në Kosovë duke lënë katër të vdekur. Presidenti serb mohoi t’i ketë armatosur sulmuesit.

Serbia e përdori incidentin si pretekst për të grumbulluar, në fund të shtatorit, armë të rënda dhe trupa në kufirin me Kosovën. Shtëpia e Bardhë ishte “shumë e shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur pushtimin ushtarak”, tha më vonë një zyrtar amerikan për revistën Time. Konflikti i tillë mund të përhapet lehtësisht në Maqedoninë fqinje të Veriut, që është anëtare e NATO-s. Shqetësimi për krizën e krijuar, e shtyu Uashingtonin të lëshonte informatat e deklasifikuara të inteligjencës në lidhje me ngritjen ushtarake të Serbisë dhe për sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Disa ditë më vonë, Serbia u tërhoq nga kufiri, por është e qartë se Beogradi dhe Moska po përgatisin një fushatë të dytë dhune dhe provokimi për vitin 2024. Rusia po kryen operacione të ndikimit me mesazhe pro luftës në Serbi dhe po dërgon armë. Kina gjithashtu po dërgon armë. Serbia është zotuar të rrisë shpenzimet ushtarake këtë vit dhe vazhdon të presë një qendër të ashtuquajtur humanitare, të drejtuar nga Rusia, afër bazës kryesore të NATO-s në Kosovë e për të cilën zyrtarët perëndimorë thonë se shërben si qendër ruse e spiunimit. Serbia dhe Rusia e mohojnë këtë. Serbët duken se janë të etur për një pretekst për të vepruar – në shkurt, Serbia tha se ndalimi i dinarit serb si valutë, nga Kosova, paraqet spastrim etnik.

Dhe, kjo nuk është e vetmja fuçi baruti në rajon. Bosnja dhe Hercegovina është gjithashtu në prag të kolapsit. Në fund të vitit të kaluar, udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik – një tjetër aleat rus – kërcënoi se rajoni i tij gjysmëautonom, Republika Srpska, do të shkëputet nga vendi. Në muajt e ardhshëm, kjo mund të rindez dhunën etnike që vrau më shumë se 100 mijë njerëz gjatë Luftës së Bosnjës më 1992-1995.

Në një raport të 5 shkurtit, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së tha se për vitin 2024 pret rrezik të shtuar nga dhuna ndëretnike në Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi në fund të vitit të kaluar se Rusia ka plane për ta destabilizuar Ballkanin, shqetësim ky të cilit në janar i bëri jehonë ministri i Jashtëm britanik, David Cameron.

Fuqitë perëndimore duhet të parandalojnë paqëndrueshmërinë e mëtejshme në Ballkan. NATO-ja duhet të rifokusojë burimet ushtarake dhe diplomatike atje dhe të përforcojë angazhimet ushtarake në Kosovë. Një koalicion i anëtarëve të gatshëm të NATO-s, duhet të angazhohet publikisht tash për të ofruar ndihmë ushtarake nëse Serbia ose Rusia ndërmarrin hapa agresivë në Ballkan.

Ndërkohë, ShBA-ja duhet të vazhdojë të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve që minojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimi Evropian duhet t’i bashkohet kësaj. Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet gjithashtu të vazhdojnë të përdorin inteligjencën e deklasifikuar për të mbështetur diplomacinë e tyre. Dhe, NATO-ja duhet të angazhojë ekipe kundër luftës hibride, për të luftuar fushatat propagandistike ruse dhe serbe, e gjithashtu të përmirësojë sigurinë kibernetike.

Teksa NATO feston 75-vjetorin e saj dhe z. Putin pëson më shumë humbje në Ukrainë, Moska po përpiqet të hapë një front të ri në Ballkan. Moska nuk ka nevojë të dërgojë ushtrinë e vet në rajon. Rusisë i duhet vetëm të mbështetet te Serbia për të nxitur dhunën dhe destabilitetin, duke llogaritur se NATO-ja do të ngurrojë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Kalo në kategori