Pupovci: Ligji i Pagave zgjeron hendekun në mes sektorit publik dhe atij privat
Profesori universitar Dukagjin Pupovci ka deklaruar se nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e Pagave, sipas tij, hendeku në mes sektorit publik dhe atij privat po zgjerohet.
Pupovci në një shkrim në profilin e tij në Facebook, thotë se nga Ligji përfitojnë rreth 80 mijë punonjës të sektorit publik, ndërsa rreth 270 mijë të tjerë që punojnë në sektorin privat mbeten aty ku kanë qenë.
“Me rritjen e sotme të pagave, hendeku në mes të dy kategorive po zgjerohet, ende nuk e dimë sa. A po mendon dikush për këta 270 mijë qytetarë që përbëjnë 3/4 e të punësuarve në Kosovë?”, ka shkruar Pupovci.
Të shtunën, Kuvendi i Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik.
Deputetët fillimisht kanë votuar për secilin amendament të dalë nga Komisioni për Administratë Publike për këtë Projektligj.
Në shenjë pakënaqësie me këtë Projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.
Në seancën e ditës së shtunë ka pasur debate të ashpra për pragun e pagës dhe çështjen e mos trajtimit të njëjtë të ndërmarrjeve publike.
Pas votimit të Projektligjit për Paga, ministri i Financave, Bedri Hamza, është shprehur se përkundër kostos shtesë që mund të ketë ky Ligj, aspekti financiar i tij është i mbuluar.
Hamza ka theksuar se ky vendim pritët të hyjë në fuqi ashtu siç e parasheh Ligji, pas 6 muajve.































