LAJMI I FUNDIT:

Punëtori për çertifikim dhe standarde për bujqësi organike

Punëtori për çertifikim dhe standarde për bujqësi organike

Shoqata e agro gazetarëve të Republikës së Maqedonisë MEDIA PLUS me mbështetjen e Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim sot dhe nesër në Veles organizon punëtori në të cilën do të hapen më shumë çështje për bujqësinë organike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sfidat dhe pengesat me të cilat ballafaqohen prodhuesit e Maqedonisë, parimi i certifikimit, standardet, politikat dhe masat për mbështetje të sektorit, gjendja në korniza botërorë, janë vetëm disa prej temave në të cilat do të diskutohet me përfaqësues të institucioneve kompetente dhe të sektorit real. Midis tjerash, do të flitet edhe për kontrollin e produkteve organike në vend.

Janë paraparë edhe vizita terrenore, në Mustafinë, të ekonomisë bujqësore “Lipa” e cila prodhon fasule organike, si dhe në rrethinën e Shkupit, në fidanishten Kitka dhe në dyqanin për ushqim organik “BioKult”.


Në punëtori janë ftuar profesorë të Fakultetit për shkenca bujqësore dhe ushqim, ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe të Agjencisë për ushqim dhe veterinari, ndërsa do të marrin pjesë edhe mysafirë nga Zvicra, prodhuesit organik të cilët do t’i ndajnë përvojat e tyre praktike. /Telegrafi/