Shtetasit e huaj që po vijnë në Shqipëri për t’u punësuar po shihen gjithnjë e më shumë si një alternativë konkrete për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.

Në qarkun e Shkodrës, disa biznese kanë rekrutuar dhjetëra punëtorë të huaj, që janë angazhuar kryesisht në fasoneri dhe shërbimet turistike, duke u integruar gradualisht në tregun vendas të punës.


Përparim Laçi, operator turistik në bashkinë e Pukës, thotë se punësimi i shtetasve të huaj po kthehet në një domosdoshmëri.

“Janë larguar rinia dhe një i vetëm duhet të bëjë më shumë se një punë. Por nëse e bën vetëm një njeri, nuk e bën mirë punë pasi duhet çdo profesion në turizëm të ketë punën e tij. Nuk mundet një kamarier të punojë edhe kamarier dhe pastaj ta marrësh për guidë turistike. Fatmirësisht po na ndihmojnë agjensitë e huaja që po sjellin të huaj, që po punojnë shumë mirë“, u shpreh Laçi.

Rritja e kërkesës për punëtorë të huaj, sipas bizneseve lokale, nuk lidhet vetëm me mungesën e personelit, por edhe me nevojën për standardizimin dhe profesionalizimin e shërbimeve, sidomos në sektorin e turizmit.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të punësimit të shtetasve të huaj, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore vendase dhe emigracionit të lartë.