Edhe këtë vit, Real Madridi zgjodhi të qëndrojë pasiv gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Drejtuesit e klubit janë të bindur se skuadra aktuale ka mjaftueshëm cilësi dhe thellësi për të përballuar me sukses pjesën e mbetur të sezonit.


Për herë të fundit, klubi madrilen përfitoi nga afati kalimtar i janarit në vitin 2020, kur transferoi brazilianin Reinier.

Që prej asaj kohe, “Los Blancos” nuk kanë realizuar asnjë afrim gjatë kësaj periudhe.

Një vendim që, sipas disa zërave, mund të lidhet edhe me eksperiencat jo plotësisht të suksesshme të së kaluarës, pavarësisht se më herët në dimër kishin ardhur lojtarë si Brahim Diaz (2019) apo Martin Odegaard (2017).

Sipas gazetës Marca, drejtuesit e klubit janë të bindur se aktualisht skuadra ka potencialin e nevojshëm për të konkurruar në objektivat kryesore të sezonit.

As humbja në finalen e Superkupës së Spanjës dhe as eliminimi befasues nga Kupa e Mbretit ndaj Albacetes nuk kanë ndryshuar strategjinë e klubit.

“Real Madridi beson se skuadra ka thellësinë e duhur për të luftuar për objektivat madhorë, që janë gjithmonë La Liga dhe Liga e Kampionëve”, shkruan gazeta spanjolle.

Ndryshimet e brendshme

Megjithatë, klubi ka kërkuar një reagim përmes ndryshimeve të brendshme.

Një prej vendimeve më të rëndësishme ka qenë ndryshimi në stafin teknik, me largimin e Xabi Alonsos dhe emërimin e Alvaro Arbeloa në stol.

Paralelisht, janë marrë masa për të adresuar problemet e shpeshta fizike që kanë prekur skuadrën gjatë sezonit.

Aktualisht, Real Madridi disponon 23 lojtarë të regjistruar, dy më pak se maksimumi prej 25 që lejon rregullorja.

Për këtë arsye, klubi vendosi të mos lejonte largimin e Fran Garcias, i cili ishte në radarët e Bournemouthit.

Kjo ishte, në fakt, e vetmja lëvizje që u shqyrtua seriozisht nga drejtuesit madrilenë në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

telegrafi sport app