(E plotësuar) - Janë përshkallëzuar tensionet në protestën e Partisë Demokratike në Tiranë, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Ngjarjet janë shënuar pranë godinës së AKSHI-t, ku policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.


Sipas A2 CNN, gjatë përplasjeve është dëmtuar edhe një autobot i policisë

Vazhdojnë tensionet në protestën e opozitës shqiptare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me mbështetësit, i janë drejtuar zonës së ish-Bllokut në vijim të protestës së opozitës në Tiranë.

Sipas raportimeve një pjesë e protestuesve pritet të lëvizë edhe drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Pak më pare protestuesit kanë hedhur molotov në drejtim të selisë së Partisë Socialiste. Si pasojë e flakëve, është përfshirë edhe një automjet i policisë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Protestuesit i vënë flakën makinës së Policisë, kundërpërgjigje me gaz lotsjellës telegrafi.com

Protesta e opozitës zhvendoset drejt Bashkisë së Tiranës

Gjatë protestës së sotme, protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, molotov dhe flakadanë edhe pranë Bashkisë së Tiranës, ku fare pranë ndodhen edhe disa institucione kyçe si Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Infrastrukturës dhe e Energjisë.

Prania e forcave policore në këtë zonë është më e kufizuar, pasi efektivët janë përqendruar kryesisht pranë Kryeministrisë dhe selisë së Partisë Demokratike.

Tym dhe gaz lotsjellës para Kryeministrisë

Situata është tensionuar në protestën e opozitës në Tiranë, ndërsa bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zbrazur nga protestuesit për shkak të tymit dhe gazit lotsjellës.

Zona është mbuluar nga shtellunga gazi lotsjellës të hedhur nga Policia e Shtetit, çka ka bërë që qytetarët të largohen nga vendngjarja.

Ndërkohë raportohet se marshimi i protestuesve është zhvendosur drejt Bashkisë së Tiranës dhe më tej drejt disa ministrive.

Fishekzjarrë e molotovë drejt Kryeministrisë-kundërpërgjigjet policia

Kanë nisur hedhjet e molotovëve dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë.

Me dhjetëra fishekzjarrë u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me hedhje uji nga të dyja anët dhe gaz lotsjellës.

Për shkak të përplasjeve, disa protestues u shpërndanë, ndërsa edhe Berisha u largua me ndihmën e truprojeve të tij.

Kreu i PD u mbrojt me çadra, ndërsa demokratët u ndanë në dy kampe në Bulevard.