Policia serbe të martën hyri në Rektoratin e Universitetit të Beogradit, ku, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike, po vazhdon hetimin për vdekjen e fundit të një studenteje të Fakultetit Filozofik.

Komuniteti akademik këtë e sheh si vazhdim të represionit të pushtetit ndaj universitetit pas bllokadave studentore të vitit të kaluar dhe protestave masive.


Studentja 25-vjeçare u gjet e vdekur në sheshin përpara Fakultetit Filozofik natën e 26 marsit. Vdekja e saj, ende nën rrethana të paqarta, ka nxitur hetime dhe verifikime në atë fakultet, përfshirë marrjen në pyetje të dekanit, stafit të fakultetit dhe rojeve të sigurisë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “punë e pakujdesshme në detyrë”.

Policia ka marrë gjithashtu deklarata nga studentët që ndodheshin në ndërtesën e fakultetit atë mbrëmje.

Në lidhje me aksionin e policisë, studentët mbrëmë organizuan një protestë para Rektoratit dhe Fakultetit Filozofik. Gjatë protestës pati përplasje të herëpashershme me protestuesit dhe policia disa herë përdori shkopinj. Të paktën dy persona u lënduan dhe, sipas pamjeve në rrjetet sociale, të paktën një person u arrestua.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një lidhje telefonike për televizionin proqeveritar Informer, tha se në protestë “u pa dhunë e pastër”, duke vlerësuar se në kulmin e saj kishte “më së shumti 3900 njerëz”.

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, gjatë ditës së martë u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga politizimi dhe instrumentalizimi i vdekjes së studentes së Fakultetit Filozofik në Beograd, ndërsa mediave u kërkoi të tregojnë respekt në trajtimin e kësaj tragjedie. /Telegrafi/