Prokuroria zbulon 'paktin' mes ultrasve të Milanit dhe Interit - fitime të mëdha nga shitjet e biletave, paratë shkojnë te familjet mafioze

Prokuroria e Milanos thotë se anëtarët ultras të Interit dhe Milanit kishin një "pakt armëpushimi" për të maksimizuar të ardhurat e paligjshme në “San Siro”, ndërsa FIGC kërkon dokumente për të sqaruar pozicionet e dy klubeve. Policia italiane arrestoi 19 persona, kryesisht ultras të Interit dhe Milanit, të dyshuar për lidhje me familjet mafioze, mëngjesin e së hënës. Gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, prokurori i Milanos, Marcello Viola dhe prokurori kombëtar antimafia dhe antiterror Giovanni Melillo ndanë disa detaje rreth operacionit.

“Aktivitetet janë zhvilluar vetëm për të përfituar një avantazh ekonomik. Interesi për klubet ishte vetëm një fasadë. Interi dhe Milani janë vetëm subjekte të dëmtuara”, deklaroi Viola, sipas Sport Mediaset. Policia ka raportuar se aktivitetet financiare të lidhura me “San Siron” ishin "jashtë çdo kontrolli ligjor". Viola shtoi se kjo ishte “pjesërisht” për shkak të “disa mangësive organizative të Interit në menaxhimin e marrëdhënieve me tifozët”.













































