Pas ngjarjes tragjike të 24 tetorit, ku një 23-vjeçar humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në Gjilan, Prokuroria Themelore në këtë qytet ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka ndaluar disa persona të dyshuar në lidhje me rastin.

Sipas njoftimit të prokurorisë, më 25 tetor 2025 janë ndaluar për 48 orë të pandehurit L.H. dhe F.R., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Telegrafi.


Të njëjtën ditë, prokuroria ka filluar hetimet ndaj tyre dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, por kjo kërkesë është refuzuar. Gjykata ka vendosur që të pandehurit t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak, ndaj së cilës vendim prokuroria ka paraqitur ankesë më 27 tetor 2025.

Hetimet janë zgjeruar më 27 tetor edhe ndaj personit të tretë, N.D., i cili është ndaluar dhe ndaj të cilit po ashtu është kërkuar masa e paraburgimit. Edhe në këtë rast, gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën e arrestit shtëpiak. Edhe ky vendim është ankimuar nga prokuroria më 29 tetor 2025 në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se më 31 tetor 2025 është njoftuar për ndërrimin e jetës së punëtorit të lënduar në QKUK, për çka është lëshuar urdhër për autopsi, në mënyrë që të sqarohen rrethanat e sakta të vdekjes dhe përgjegjësitë eventuale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa Komuna e Vitisë, nga e cila ishte i ndjeri, ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Rinor Haxhiut (23), duke e cilësuar humbjen e tij si “të rëndë dhe të parakohshme”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /Telegrafi/