Prokuroria e Pejës vendos kuti vlerësimi për palët – synon rritjen e efikasitetit dhe transparencës

Në objektin e Prokurorisë Themelore në Pejë është vendosur një kuti vlerësimi për palët, me qëllim të mbledhjes së mendimeve dhe vërejtjeve të qytetarëve për shërbimet e këtij institucioni.
Kjo iniciativë është ndërmarrë nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, me synimin për të avancuar efikasitetin dhe cilësinë e trajtimit të palëve në këtë institucion të drejtësisë.
Pranë kutisë janë vendosur formularë me pyetësorë të strukturuar, ku palët mund të japin mendimin e tyre mbi pritjen, sjelljen e stafit administrativ apo të prokurorëve, si dhe të paraqesin vërejtje eventuale.
Sipas njoftimit nga prokuroria, Kryeprokurorja Vuçetaj do të formojë çdo muaj një komision i cili do t’i analizojë të gjitha formularët e mbushur nga qytetarët. Komisioni do të shqyrtojë çdo koment apo vërejtje dhe, nëse është e nevojshme, do të ndërmarrë masa për përmirësim të shërbimeve, duke respektuar të drejtat ligjore të palëve.
Vendosja e kutisë së vlerësimit konsiderohet një hap drejt transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vlerësimin e funksionimit të sistemit prokurorial./Telegrafi/

















































