Nesër në orën 18:30, në fasadën e ish-Gjykatës në Vushtrri, do të jepet performanca “Projeksionimi narrativ”.

Kjo performancë do të bëhet në emër të projektit ‘Tu pa, Tu bo’, respektivisht Universitetit të Lundit, Future by Lund, UN-Habitat Kosova, Anibar dhe nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), shkruan Telegrafi.


Përformanca “Projeksionimi narrativ” përtej ngritjes së vetëdijes, thekson potencialin e pashfrytëzuar të sektorit të industrisë kreative si një shtytës i zhvillimit ekonomik.

“Duke shfaqur ndërthurjen e teknologjisë, artit, arkitekturës dhe trashëgimisë, kjo ngjarje synon të frymëzojë mundësitë e reja për zhvillimin e kapaciteteve, ndërtimin e shkathtësive dhe gjenerimin e vendeve të punës—veçanërisht për të rinjtë që synojnë karriera në artet digjitale, animacion dhe prodhim kulturor”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se “Projeksionimi narrative” shërben si një thirrje për veprim për mbrojtjen institucionale dhe të qëndrueshme të aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, duke pozicionuar kështu industrinë kreative si një kontribuese kyç në zhvillimin e ardhshëm të vendit. /Telegrafi/