Casemiro është bërë lojtari i fundit i Manchester United që ka pësuar një lëndim. 31-vjeçari është ankuar në një problem me kyçin e këmbës teksa luante për Brazilin.
Casemiro luajti 79 minuta në barazimin 1-1 të Brazilit me Venezuelën, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 2026.
Ishte trajneri i Brazilit, Fernando Diniz, ai i cili zbuloi lajmin për lëndimin e Casemiros.
“Ai kërkoi të zëvendësohej për shkak të një goditjeje në kyçin e këmbës”, ka thënë shkurtimisht Diniz.
Është e paqartë nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur kundër Uruguait të martën ose në ndeshjen e radhës të Man Utd kundër Sheffield United të shtunën e ardhshme.
Casemiro është lojtari i fundit i “Djajve të Kuq” që ka hasur në një lëndim këtë sezon, me lojtarë si Luke Shaw, Lisandro Martinez dhe Aaron Wan-Bissaka që të gjithë pritet të jenë të jashtë fushave për një kohë të gjatë.
Raphael Varane, Sergio Reguilon, Tyrell Malacia, Kobbie Mainoo dhe Amad Diallo janë gjithashtu aktualisht duke u trajtuar si pasojë e disa lëndimeve të lehta.
Po ashtu edhe nënshkrimet e verës, Mason Mount dhe Rasmus Hojlund, kanë pasur probleme me lëndime që nga mbërritja në “Old Trafford”./Telegrafi/