Presidenti i Venezuelës i bën thirrje Trumpit të shmangë luftën

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ka bërë thirrje homologut amerikan, Donald Trump, që të mos e përfshijë SHBA-në në një "luftë të përjetshme" të modeluar sipas Afganistanit.
Kjo thirrje vjen në një kohë tensionesh të larta dhe shtimit të forcave ushtarake amerikane në rajon, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i Trumpit, Pete Hegseth, ka premtuar të "pastrojë" Amerikën nga "narko-terroristët".
Duke folur për CNN jashtë pallatit presidencial Miraflores në Karakas, Maduro i kërkoi Trumpit të kërkojë paqe në vend të luftës, pasi aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, mbërriti në rajon.
"Mjaft me luftëra të përjetshme. Mjaft me luftëra të padrejta. Mjaft me Libi. Mjaft me Afganistan. Rroftë paqja", tha Maduro.
Vetëm disa orë pas fjalimit të Maduros, Hegseth e rriti më tej presionin duke njoftuar një operacion që e quajti "Operacioni Shtiza Jugore".
"Hemisfera Perëndimore është fqinjësia e Amerikës - dhe ne do ta mbrojmë atë", tha Hegseth.
Zyrtarisht, vendosja masive e ushtrisë amerikane është pjesë e "luftës kundër drogës" të administratës Trump, që synon të ndalojë kartelet e Amerikës Latine nga "mbytja" e SHBA-së me kokainë dhe fentanil. /Telegrafi/


















































