LAJMI I FUNDIT:

Politikat e mëdha dhe mushka

Nuk ka më keq për një individ, një shoqëri, e pse jo edhe një komb, kur fillon ta pandehë veten se është në qendër të vëmendjes e në fakt nuk është askund. Kjo ndjenjë narcisoide bart në vete një kosto të lartë, e cila mund ta çrrënjosë fatin e cilitdo. Prandaj, njeriu (kombi) si homo-politicus, domosdo duhet t’ia caktojë vetes objektivat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjate.

Shqiptarët, ashtu siç i (na) ka falur Zoti, prej 100 vjetësh kanë filluar sorollatjet e tyre në kërkim të rrugës së vërtetë. 28 Nëntori i 1912-tës, si datë e gjenezës së kombit modern shqiptar, në ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë do të duhej të ishte filli i mbarë për të mbërritur sot atje ku janë kombet e tjera evropiane, pse jo edhe disa ballkanike! Por, për fat të keq, "Vlora martire", pavarësisht shumë të mirave, atë ditë martirizoi breza të tërë për një çast të vetëm, duke lënë kështu mënjanë qenien më të rëndësishme të trungut.


Sot, 100 vjet pas, ne zgjasim qafën për të na parë të tjerët, për t’u thënë se "ja ku jemi" dhe se meritojmë të jemi me ata, aty ku vendoset për shumëçka. Mirëpo, po t’i hedhim një sy gjendjes tonë, kuptohet sy kritik, do të mund të shohim çalimet që ndoshta janë më të paskrupullta për 10 dekada me radhë. "Rruga e kombit", "pushimet me domate", darkat dhe drekat në Mavrovë, pa dyshim se janë një ndryshim i madh i trajtës sonë, por nuk janë më shumë se një shkëmbim i makiatos që nuk e avancon shumë strukturën tonë të përçarë ndër vite.

Ndonëse gjendja është kjo, shqiptarët – gjithmonë është fjala për elitën politike, qoftë ajo me thonjëza ose pa thonjëza – krahas lavdeve të shumta, flasin për integrimet euroatlantike edhe në fshatrat e Malësisë së Shqipërisë, ku banorët nuk dinë gjë tjetër pos të mbjellin patate ose të mbledhin duhan. Flasin për "miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara" në Kosovë, edhe atëherë kur pensionistët pyesin se pse marrin pagat më të turpshme në Evropë. E sa për shqiptarët e Maqedonisë, elitat kanë vlerësuar se nuk prish punë edhe atëherë kur Gruevski e quan UÇK-në organizatë terroriste ose kur fëmijëve shqiptarë ua mohon të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare… Sipas tyre, rëndësi ka "Raporti i progresit të KE-së", i cili duhet të shpallet në javët në vijim. Ironia dhe hipokrizia vërtetë nuk kanë fund!

E, në fakt, ne si qenie vazhdojmë të lëngojmë nga politikat boshe, të cilat po i lënë shqiptarët me barkun bosh, pavarësisht pikave të karburantit që kanë mbërthyer tokat tona si bunkerët e Xhaxhit Diktator! Sot, 22 vjet pas demokracisë dhe katër vjet pas pavarësisë, me këto brenga që i kemi në realitet, synojmë të ulemi në tavolinë me Serbinë, e cila më mirë se gjithë të tjerët duket se e ka projektuar vijën e historisë, por edhe të gjeografisë.

Ne, sot, në vend se të përpiqemi ta gjallërojnë veten për t’u bërë pjesë e agjendave të qytetëruara, sillemi si bizantinët që nuk e kishin nuhatur me kohë transformimin shoqëror. Miqtë dhe armiqtë, nuk arrijmë t’i ndajmë dot, ndërsa sa herë që e kërkon nevoja, krijojmë një dozë të çuditshme të nacionalizmit, i cili në të shumtën e rasteve i ngjan primitivizmit të fiseve afrikane. Ndërkaq, kërcënimet, që tashmë kanë zënë vend në rajon, i perceptojmë si mjegull vjeshte, e cila mund të largohet vetvetiu.

Ndërkohë, ndonëse askush nuk pranon të flasë, tashmë ka filluar të krijohet diktatura demokratike. Kurse të tjerët (lexo: Serbia) po ecin me një dinamikë dhe plane të detajuara, duke i bërë një vlerësim tejet preciz situatës aktuale.

Dhe, derisa Berisha, Thaçi, Ahmeti dhe oponentët e tyre merren me politika “të mëdha", vajzat e reja të Malësisë, të shkëmbyera për një mushkë, vazhdojnë të lindin Dushana e Jovana nëpër Shumadi e Maqedoni Lindore. Lum shqiptaria që na ka!