Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve për vjedhje

Policia Rajonale e Ferizajt, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personave të dyshuar.
Policia thekson se dyshohet që më datën 04.07.2025, rreth orës 19:30, në rrugën "Tahir Sinani" në Shtime, në një qendër tregtare, personat e dyshuar kanë kryer veprën penale “Vjedhje”.
“Deri më tani, të dyshuarit nuk janë identifikuar. Prandaj, Policia Rajonale e Ferizajt kërkon ndihmën e qytetarëve që kushdo që ka informacione rreth identitetit apo vendndodhjes së tyre të njoftojë në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, ose në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406”, thuhet në njoftim.
Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/



















































